Botë
Sulme të vazhdueshme në Azovstal, të plagosurit vdesin nga mungesa e antibiotikëve
06.05.2022 17:19
Forcat ruse kanë vazhduar sulmin e tyre në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol...

Forcat ruse kanë vazhduar sulmin e tyre në fabrikën e çelikut, Azovstal, në Mariupol, duke përdorur avionët për të sulmuar luftëtarët ukrainas që gjenden brenda kësaj fabrike. Vlerësohet se 2,000 ushtarë ukrainas dhe qindra civilë vazhdojnë të jenë brenda fabrikës, teksa Kombet e Bashkuara thanë se kanë nisur përpjekjet e radhës për evakuimin e civilëve.
“Aktualisht granatimet dhe sulmet ruse ndaj fabrikës së çelikut vazhdojnë. Duhet të nxirren civilët. Shumë fëmijë janë ende atje. Vetëm mund ta imagjinoni këtë ferr. Më shumë se dy muaj granatime të vazhdueshme, bombardime, vdekje të vazhdueshme. Ne po bëjmë gjithçka për të gjetur një zgjidhje për të shpëtuar njerëzit tanë, heronjtë që mbrojnë Mariupolin kundër pushtuesve. Ka shumë të plagosur, por nuk dorëzohen. As ne nuk dorëzohemi”, tha Volodymyr Zelensky, President i Ukrainës.
Deri më tani pothuajse 500 civilë janë evakuuar nga Mariupoli dhe Azovstali në operacionin e udhëhequr nga OKB-ja. Por ka akoma civil në fabrikë, ata që kanë mbetur kërkojnë ndihmë.
“Njerëzit po vdesin - disa nga plumbat, disa nga uria. Të plagosurit vdesin nga mungesa e ilaçeve dhe kushtet e tmerrshme. Para pushtimit kam punuar në një ambulancë, kam ndihmuar gjithmonë njerëzit në çdo mënyrë që kam mundur, por më dhemb kur shoh njerëz të vdesin në krahët e mi thjesht sepse nuk ka antibiotikë. Jemi granatuar vazhdimisht nga ajri, deti dhe toka. Ju lutem të kryeni procedurën për tërheqjen e të gjithë njerëzve, përfshirë ushtarakët, nga territori i Azovstal.”, u shpreh një mjek ukrainas nga Azovstal.
Mariupoli është shndërruar në gërmadhë pas sulmeve të vazhdueshme ruse. Ndërkaq, në fabrikën e Azovstalit, trupat ukrainase po bëjnë rezistencën e fundit kundër forcave ruse, teksa këta të fundit po tentojnë që ta marrin kontrollin e plotë të qytetit. Humbja e Mariupolit do ta shkëpuste Ukrainën nga një port i rëndësishëm në Detin e Azovit.
Po ashtu, do ti jepte Rusisë mundësinë që të krijonte një korridor tokësor me Gadishullin e Krimesë. Sulme ka patur edhe në kryeqytetin Kievë dhe në shumë qytete tjera të Ukrainës.
“Ejani këtu, ejani këtu... Shiko çfarë bënë. U bë një shpërthim i madh dhe shkatërruan gjithçka.”, tha një banore e Orikhivit.
“Kjo ishte shtëpia ime e dytë dhe kur mësova se shtëpia jote është djegur dhe shkatërruar, më dhembi zemra dhe më dhimbte shpirti. Vendi është nën sulme të vazhdueshme.”, u shpreh një banor i qytetit Makariv.
“Jemi në një pozicion të spikatur të ushtrisë, këto janë periferitë e Kharkiv. Nuk duhet të them më saktë se ku. Forcat tona janë më përpara. Sulme ka vazhdimisht në qytet dhe rrethinën e Kharkovit.”, tha komandanti i togës në Kharkiv.
Amnesty International dokumenton krimet e luftës
Organizata Amnesty International tha se ka dokumentuar krime të shumta lufte të kryera nga forcat ruse në komunitetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përfshirë edhe ekzekutime arbitrare, bombardime të zonave të banuara dhe raste të torturës.
“Llojet e krimeve të kryera nga forcat ruse që ne kemi dokumentuar përfshijnë edhe sulme të paligjshme dhe vrasje të qëllimshme të civilëve.Është thelbësore që personat përgjegjës, përfshirë zinxhirin komandues, të dalin para drejtësisë.”, tha Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e Amnesty International.
Amnesty International tha se ka mbledhur të dhëna dhe dëshmi në tetë qytete pranë Kievit, përfshirë edhe në Buça. Pasi forcat ruse u tërhoqën nga Buça në muajin prill, në rrugët e kësaj qyteze u gjetën trupa të pajetë, shumica e të cilëve kishin duart e lidhura pas shpine. Po ashtu në Buça u zbuluan varreza masive.
FARIJE DAUTI BAKIU
