Botë
Tiranë, konferenca për “Nismën Adriatiko-Joniane”, Xhaferi: Datë pa vonesapër negociata
06.05.2022 18:05
Është e nevojshme që Bashkimi Evropian të caktojë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare pa vonesë...

Është e nevojshme që Bashkimi Evropian të caktojë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare pa vonesë, e cila do të shënojë fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe është mirë që kjo të bëhet gjatë presidencës franceze të BE-së, tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Talat Xhaferi me këtë mesazh nisi fjalimin e tij në Konferencën e 18-të të Nismës Adriatiko-Joniane me temë “Integrimi Europian: Ballkani Perëndimor, Vlera e Shtuar e Rajonit Adriatiko-Jonian dhe Bashkimi Europian”, mbajtur në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
“Edhe pse çdo vend ka strategjinë e tij dhe ndërmerr hapat e nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e tij territorial, përgjegjësia e secilit vend veç e veç është përgjegjësi për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij evropian. Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në NATO do të thotë të jesh pjesë e përpjekjes për të ruajtur paqen dhe natyrisht fakti që jemi bashkë nën atë ombrellë të përbashkët, rrënjoset një ndjenjë fuqie dhe sigurie dhe në të njëjtën kohë ka një ndikim shumë pozitiv në të gjithë rajonin dhe më gjerë", tha Xhaferi.
Sipas Xhaferit për vendet aspirante, është shumë e rëndësishme në kuadër të Iniciativës “Adriatiko-Joniane” të intensifikohet bashkëpunimi mes parlamenteve dhe organeve parlamentare për reformat tona dhe në të njëjtën kohë të jemi në gjendje të artikulojmë interesat dhe çështjet tona, ndonjëherë edhe dilemat, në Parlamentin Evropian, por edhe para institucioneve të tjera të BE-së.
“Situata aktuale e sigurisë në Ukrainë na rikthen edhe një here në njërin nga qëllimet e Iniciativës së Ankonës përmes së cilës Italia në mars të vitit 2000 propozoi forcimin e ceshtjes së sigurisë për vendet e rajonit të Ballkanit për ti dhënë shtysë procesit integrues. Tani kjo është e nevojshme më shumë se kurrë, sepse agresioni rus kundër Ukrainës ka treguar se sa i rëndësishëm është zgjerimi i BE-së për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe konsolidimit demokratik të gjithë rajonit", ka shtuar Xhaferi.
Rama: Shqipëria, peng i kontestit RMV-Bullgari
Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi se procesi i integrimit në BE i Shqipërisë po mbahet peng si pasojë e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, një situatë që sipas tij vetëm unioni europian mund ta krijojë. Ai tha se megjithatë nuk duhet të humbet durimi dhe dëshira për anëtarësim në BE.
“Procesi drejt BE-së është proces neurotik. Shqipëria është peng i një bllokimi, midis fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Është nga ato situata që BE mund ta krijojë. S’ka libër dhe përvojë dhe ndonjë shpjegim se si mund të trajtohet. Si mund të mbetesh peng i mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. Por ja që kështu është- siç thoshte Donald Trump. Duhet të mos humbasim durimin dhe dëshirën për Europën”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
Kryeminisrtri Rama në fjalën e tij theksoi se në planet tona nuk ka një të dytë përveç Evropës dhe se ne kemi shumë për t’i dhënë Rajonit pasi problemet mund të krijojnë vetëm ndasi.
LULJETA NDOKA
