Francë, Makron nisi mandatin e dytë si president

07.05.2022 20:09

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron....

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u inaugurua në mandatin e dytë si president.

Ai me këtë rast mes tjerash u zotuar se fillimisht do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim të mëtejshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë përpara se të vazhdojë të fokusohet në promovimin e Francës dhe Evropës në skenën botërore. Në fjalën e tij Macron premtoi se "së pari do të ndërmarrë veprime për të shmangur çdo përshkallëzim pas agresionit rus në Ukrainë”.

Macron premtoi gjithashtu se do të gjente një "metodë të drejtë" për të qeverisur vendin dhe për të lehtësuar tensionet sociale duke e bërë qeverinë dhe parlamentin të punojnë së bashku me sindikatat, shoqatat dhe njerëz të tjerë nga bota politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

Në ceremoninë e inaugurimit, Macron pati një fjalim më të shkurtër se zakonisht dhe pjesën më të madhe të kohës e kaloi duke u përshndetur me të pranishmit individualisht. Në ceremoni ishin të pranishëm rreth 500 të ftuar.

Macron u rizgjodh për pesë vjet të tjera në krye të shtetit francez më 24 prill në një balotazh në të cilin e mundi rivalen e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.