Botë

Paradë në Moskë për “Ditën e Fitores”, Putin: NATO përbën kërcënim për Rusinë

09.05.2022 14:12

Në mesin e një lufte, Rusia përkujtoi fundin e një tjetre...

Në mesin e një lufte, Rusia përkujtoi fundin e një tjetre. Në paradën pompoze të Ditës së Fitores, trupa, tanke e raketa u shfaqën në Sheshin e Kuq të Moskës. Në fjalimin e tij, presidenti rus Vladimir Putin, e konsideroi NATO-n një kërcënim të dukshëm dhe pretendoi se perëndimi nuk i la asnjë opsion tjetër përveç se të sulmonte Ukrainën. 
 
“Vendet e NATO-s nuk donin të na dëgjonin. Kjo la të kuptohej se ata kishin plane krejtësisht të tjera. Haptazi, po përgatiteshin për një tjetër operacion ndëshkues në Donbas, për një pushtim të tokave tona historike, përfshirë Krimenë. Kievi njoftoi për një blerje të mundshme të armëve bërthamore. Blloku i NATO-s filloi të eksploronte tokat afër nesh. Ky ishte një kërcënimi absolutisht i papranueshëm i krijuar sistematikisht për ne dhe pikërisht në kufijtë tanë.”, tha presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Zelensky: Putin po kopjon Hitlerin, ne do fitojmë
 
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e konsideron  Putinin një të çmendur që po përsërit masakrat e Hitlerit. “Do ta fitojmë këtë luftë”, u shpreh Zelensky 
 
“Në ditën e fitores ndaj nazizmit po luftojmë për një fitore të re. Ne po luftojmë për lirinë e fëmijëve tanë dhe prandaj do të fitojmë. Ai që tashmë po përsërit krimet e tmerrshme të të gjithë regjimit të Hitlerit dhe po kopjon çdo gjë që ata bënë, është i mallkuar. Sepse ai u mallkua nga miliona paraardhës kur filloi të imitonte vrasësin e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse ai ka humbur gjithçka. Dhe shumë shpejt do të ketë dy Ditë Fitoreje në Ukrainë. Ne fituam atëherë, do të fitojmë dhe tani.”, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Stoltenberg: Putini të fillojë negociatat e paqes
 
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që t’i japë fund luftës në Ukrainë menjëherë.
 
“Ne qëndrojmë fuqishëm në krah të Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend që të ushtrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje”, tha Stoltenberg. Ai shtoi se Putin e ka shfrytëzuar rregullisht fjalimin e tij të 9 Majit për të përhapur gënjeshtra për Perëndimin dhe për të kritikuar NATO-n.
 
Von der Leyen: Në qershor opinioni për hyrjen e Ukrainës në BE
 
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në një bisede telefonike me Zelenskyn, tha se Brukseli mund të japë mendimin për hyrjen e Ukrainës në Evropë deri në qershor. Një muaj më parë presidentja e Komisionit Europian, i dorëzoi me ceremoni pyetësorin presidentit ukrainas, si pjesë e procesit të gjatë të anëtarësimit në BE, duke i dhënë mundësinë Ukrainës për të bërë një hap të rëndësishëm drejt BE-së.
 
SANIJE DURAKU