Lufta në Ukrainë, granatohet shkolla, 60 të vdekur dhe 7 të plagosur
Së paku 60 persona u vranë kur një bombë goditi një shkollë në Ukrainën lindore....

Së paku 60 persona u vranë kur një bombë goditi një shkollë në Ukrainën lindore.Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai, tha se, në kohën e sulmit, 90 veta po strehoheshin në ndërtesën në qytetin Billo-horivka .
30 të tjerët që i shpëtuan këtij sulmi janë evakuuar, në mesin e të mbijetuarve shtatë persona janë të plagosur.
“Zjarrfikësit punuan për gati katër orë për të shuar zjarrin e shkaktuar nga bombardimi që goditi shkollën. Pasi zjarri u shua zjarrëfikësit filluan të pastrojnë rrënojat dhe, për fat të keq, u gjetën trupat e të vrarëve. Një nga një i nxorrëm nga gërmadhat. Është tragjedi, dhjetra civil të vrarë” - tha Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Haidai.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës dhe shtoi se “civilët duhet të kursehen”
“Kjo ngjarje është kujtesë e faktit në këtë luftë, ashtu sic ndodh edhe në shumë konflikte të tjera, janë civilët ata që paguajnë çmimin më të rëndë” – u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
Ditëve të fundit ka pasur luftime të ashpra në Luhansk, ku forcat ruse dhe separatistët pro-rusë po përpiqen të rrethojnë forcat qeveritare.Pjesa më e madhe e rajonit është nën kontrollin e separatistëve tash e tetë vjet.
Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më në lindje. Mijëra njerëz janë vrarë në luftë, ndërsa rreth 6 milionë janë larguar nga Ukraina.
Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
