Botë

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, dëshmojën sot në Gjykatën Speciale

10.05.2022 12:28

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka nisur konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së...

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u deklarua i pafajshëm për disa akuza të reja që kanë paraqitur Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 Maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Pas ish-presidenti Thaçi, përmes një lidhje direkte është paraqitur edhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. I pyetur nga gjykatësi Guillou se a ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të datës 29 prill 2022, e cila përmban ndryshimet, pra akuzat e reja, Veseli e konfirmoi këtë.Më pas, i erdhi radha leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës.Pas leximit të akuzave të reja kundër tij, Veseli u deklarua i pafajshëm për akuzat e reja me të cilat ngarkohet nga Prokuroria e Specializuar.

“I kam lexuar akuzat, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejtë dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time para qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këtij gjyqi të nderuar”, tha Veseli. “Deklarohem i pafajshëm”

Përpos Thaçit e Veselit, sot do të bëjnë paraqitjen e tyre edhe  Jakup Krasnqi dhe Rexhep Selimi. Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

“Kategoria e parë përbëhej nga dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha ai.

“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo. Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.

“Dhe kategoria e tretë përbëhej nga dy incidente për pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera”, tha Guillou.

Gjatë seancën nuk u lexuan akuzat e reja, por gjyqtari tha se të njëjtat do të publikohen online.