Maqedoni

Të dënuarit në rastin “Lagja e trimave” në grevë, Tupançevski: Shqyrtohen kërkesat e të burgosurve

10.05.2022 13:27

Nëse konstatohet se të dënuarit për ngjarjet në Lagjen e Trimave, të cilët janë në grevë urie...

Nëse konstatohet se të dënuarit për ngjarjet në Lagjen e Trimave, të cilët janë në grevë urie, nuk i marrin të drejtat që u takojnë me ligj, do të reagohet në mënyrë adekuate, thotë ministri i drejtësisë, Nikolla Tupaçevski. Ai njëherit theksoi se janë duke i shqyrtuar me kujdes kërkesat e të burgosurve.
 
“Jam i informuar nga drejtori se ka edhe zyrtarisht njoftim se një pjesë e të dënuarve mbajnë grevë urie. Ne me kujdes i kemi shqyrtuar kërkesat e tyre. Drejtori ka kontaktuar për herë të dytë me të dënuarit dhe mendoj se gjërat po shkojnë në një drejtim pozitiv, për të marrë të gjitha të drejtat dhe përfitimet që u takojnë me ligj. Ne nuk duam të kemi një qasje selektive dhe nuk duam të paraqesim disa të dënuar të tjerë. Çdo person i dënuar është "histori më vete". Duhet të ketë qasje individuale. Nëse konstatohet se nuk i marrin të drejtat që i takojnë me ligj, do të reagohet në mënyrë të duhur.",- tha ministri i drejtësisë, Nikolla Tupaçevski.
 
Tupaçevski: Kosova kërkon ekstradim
 
Tupaçevski njëherit konfirmoi se zyrtarisht është dorëzuar kërkesë nga autoritetet kosovare për ekstradimin e disa nga të dënuarit në rastin Lagja e Trimave, por se ende nuk është marrë vendim në këtë drejtim.
 
“Është parashtruar kërkesë zyrtare nga ana e autoriteteve kosovare për ekstradim të një pjese të personave të dënuar lidhur me këtë ngjarje. Ministria e Drejtësisë e ka marrë kërkesën dhe po vepron. Ende nuk është sjellë kurrfarë vendimi.”,- u shpreh ministri i drejtësisë, Nikolla Tupaçevski.
 
Për nga natyra e krimit, kjo është një çështje komplekse dhe se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet tjera të cilat bëjnë kontrolle të sigurisë tha ministri i drejtësisë. 

GYLTENE SINANI