Kuvend, përplasje mes pushtetit dhe opozitës

10.05.2022 15:29

Me përplasje midis deputetëve të shumicës dhe opozitës....

Me përplasje midis deputetëve të shumicës dhe opozitës dhe pakënaqësi në mënyrën e funksionimit të kuvendit vijoi seanca plenare në kuvend. Opozita shfaqi revoltën pasi propozim ligji i tyre për shërbim në armatë që parashikonte çështjen e pensionimit, nuk u mbështet nga mazhoranca.

“Në një vend kemi të vendosur nga dy persona, që marrin paga. Formacioni më i vjetër që duhet të shkoj në pension, nuk mund të ik pasi ligjet këtë e pamundësojnë. Ne propozojmë shkuarje në pension me 40 vite përvojë pune, pa dallim të moshës, kjo vlen për burrat ndërkaq gratë të pensionohen me 38 vite përvojë.”,- deklaroi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Dragan Kovaçki.

“Paska qenë i bllokuar ligji për armatë!! Por, propozim ligji i VMRO-së i cili sot mund të kalonte komisionet dhe deri në mbrëmje të miratohej, nuk kaloi pasi 55 deputetë të shumicës nuk e  votuan. Ju kështu silleni me të gjitha ligjet.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE–SË, Nikolla Micevski.

Deputetët e LSDM-së fajësuan VMRO–DPMNE-në se një propozim të tillë të qeverisë për armatën e kishte bllokuar para dy viteve me 2 mijë amendamente.

“Me dorëzimin e mbi 2 mijë amendamenteve, ligji u bllokua. Ne do ta miratojmë ligjin dhe për momentin jemi duke biseduar me sindikatën e armatës për më shumë të drejta të cilat duhet t’i marrë armata dhe këtë do ta miratojmë.”,- theksoi deputeti i LSDM-SË, Dime Vellkovski.

U ankuan edhe nga ASH, pasi sipas tyre kryeparlamentari anashkalon propozimet e opozitës shqiptare nga rendi I ditës, sikurse  ligjin për lojërat e fatit i dorëzuar më 24 prill.

“Edhe pse unë si koordinatore e grupit parlamentar kam kërkuar në mbledhjen e para dy jave që e kemi pasur në koordinim që propozim ligji për lojërat e fatit të jetë pikë e rendit të ditës, ju këtë nuk e keni bërë. Nga ana tjetër keni futur disa propozim ligje të cilat dje janë propozuar nga ana e deputetëve dhe përnjëherë sot i keni future në procedurë parlamentare.”,- u shpreh deputetja e ASh-së, Ilire Dauti.

Ndërkohë, deputetët e shumicës mbështetën vetëm propozimet e dorëzuara nga qeveria e të cilat nuk u votuan nga VMRO–DPMNE. (Meral Ismaili, TVM2)