Maqedoni

VMRO filloi bllokimin aktiv të Kuvendit

10.05.2022 15:12

VMRO-DPMNE filloi me bllokimin aktiv të Kuvendit....

VMRO-DPMNE filloi me bllokimin aktiv të Kuvendit. Deputetët e grupit parlamentar të “Koalicionit për ripërtëritje të Maqedonisë” u paraqitën me transparente për bllokim aktiv për shpëtim nga katastrofa nacionale. Reagimi i opozitës me bllokim aktiv të Kuvendit vjen pas refuzimit deklarativ të kërkesës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi opozita nuk ka dorëzuar zyrtarisht një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. 
 
“Bllokimin aktiv që planifikojnë deputetët e VMRO-DPMNE-së është për shpëtim nga katastrofa nacionale prandaj ju ftojmë në zgjedhje, të cilat do të jenë dalje nga kjo krizë që ju e prodhoni. Bllokimi aktiv, për shpëtimin e ekonomisë, bllokim aktiv për shpëtimin e energjetikës, bllokim aktiv për shpëtimin e bujqve.”,- tha koordinatori i GP të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Xhaferi: Parashtroni nismë për vetëshpërndarje
 
Kryeparlamentari Xhaferi, udhëzoi opozitën që të parashtrojë propozim për shpërndarjen e Kuvendit që, deputetët të vendosin me shumicë votash. Sa i përket efikasitetit të shumicës parlamentare dhe qeverisë, tha si i takon votuesit që të vendos se kush duhet t’i qeverisë.
 
“Këtë do ta vlerësojnë qytetarët që na kanë sjellë këtu dhe qytetarët vendosin se shtëpia e kujt është Parlamenti. Kjo shtëpi s’është as e imja as e juaja, por është shtëpia e qytetarëve. Nëse mendoni ndryshe, vazhdoni të bllokoni.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Mitrevski: VMRO, e vetmja që bllokon në kohë krizë
 
Veprimi i deputetëve të opozitës u kritikua nga deputetët e shumicës. Sipas tyre, VMRO-DPMNE është partia e vetme në botë që bllokon parlamentin në kohë krizash.
 
“Kjo është një pjesë e cirkut që bën opozita. Është mirë që dolët dhe u fotografuat me atë transparent. Shpresoj se do të publikohet në masë që të shihet se kush është opozita e vetme në botë që bllokon Kuvend në kohë krize energjetike e nxitur nga lufta në Ukrainë, dhe pasojat nga pandemia me Kovid.”,- u shpreh koordinatori i GP të LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
Ademi: Bllokimi, zgjidhje e gabuar
 
“Vendi është në një periudhë tejet të rëndësishme ku duhet të merren vendime shumë të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve, për hapjen e perspektivave të reja për qytetarët dhe se bllokimi, bojkoti, sabotazhi e punës së Kuvendit nuk është zgjidhja e duhur.”,- theksoi koordinatori i GP të BDI-së, Arbër Ademi.
 
Edhe ASh në opozitë shprehu pakënaqësi për anashkalimin e nismave të tyre ligjore dhe hapësirën e veprimit. Tha se do të jetë konstruktive në veprimin parlamentar por në shenjë revolte kërkoi një orë pauzë. 

SHPËTIM NUREDINI