Botë

Gratë afgane protestojnë kundër dekretit të ri për mbulesë në publik

11.05.2022 13:20

Dhjetëra gra dhe aktiviste për të drejtat e grave kanë protestuar kundër urdhrit të talibanëve...

Dhjetëra gra dhe aktiviste për të drejtat e grave kanë protestuar kundër urdhrit të talibanëve, i cili bën të detyrueshme që gratë të mbulohen tërësisht kur dalin në publik.
 
Sipas dekretit, mosrespektimi do të rezultojë me pasoja për babanë ose të afërmin tjetër të gjinisë mashkullore, i cili do të qortohet, burgoset apo pushohet nga puna.
 
Gratë marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit, Kabul, më 10 maj duke mbajtur pankarta përmes së cilave bënin thirrje për drejtësi, pavarësisht përpjekjeve të frikësimit nga operativët talibanë, të cilët i kërcënuan me dhunë.
 
Vendimi i udhëheqësve talibanë nxiti menjëherë kritika nga shumë afganë si dhe të komunitetit ndërkombëtar mes një proteste mbi cungimin e të drejtave të njeriut në vend, veçanërisht për femrat.
 
“Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të autoriteteve de-fakto talibane se ata respektojnë të drejtat e grave dhe vajzave, miliona gra dhe vajza janë të ekspozuara ndaj diskriminimit sistematik të bazuar në gjini”, reagon Amnesty International.
 
Në mars, talibanët urdhëruan mbylljen e shkollave të mesme të vajzave, një urdhër që erdhi pikërisht  në mëngjesin që ishin planifikuar të hapeshin.