Botë

Lukashenko: Rusia do të na ndihmojë të krijojmë një raketë të re

11.05.2022 13:36

Moska është pajtuar që ta ndihmojë Minskun që të prodhojë raketa...

Moska është pajtuar që ta ndihmojë Minskun që të prodhojë raketa, përfshirë edhe një raketë të ngjashme me raketën ruse, Iskander. Konfirmimi erdhi nga vetë lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenko. 
 
Gjatë një takimi me zyrtarët e mbrojtjes, Lukashenko tha se ka fituar mbështetjen e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi të zhvilluar në Lindjen e Largët në Rusi, ku u diskutua me personat që janë të përfshirë në prodhimin e raketave në Rusi dhe ai tha se shprehu interesim që edhe Bjellorusia të bëjë përparime në këtë drejtim.
 
“Ne po krijojmë një raketë të re , një raketë shumë efektive e ngjashme me modelin e Iskanderit. Rusia ka shprehur mbështetje të plotë për Bjellorusinë”, citohet të ketë thënë Lukashenko, raportoi Belta.
 
Rusia ka përdorur raketat e tipit Iskander gjatë luftës në Ukrainë, apo siç e quan Moska “operacion të posaçëm ushtarak”.
 
Edhe pse Minsku ka thënë se trupat bjelloruse nuk janë të përfshira në pushtimin e Kievit, Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës.