Aksi rrugor Strugë – Qafë Thanë, qytetarët: Në gjendje katastrofale, përbën rrezik

11.05.2022 13:44

Rruga për në pikën kufitare Qafë Thanë...

Rruga për në pikën kufitare Qafë Thanë edhe këtë sezon mbetet në gjendje katastrofale. Rruga ka disa vite që shqetëson shoferët që kalojnë çdo ditë aty. Kohë pas kohe janë mbushur gropat të cilat pas reshjeve të borës dhe shiut, janë hapur përsëri dhe janë bërë edhe më keq.

Qytetarët kërkojnë asfaltim të plotë të rrugës.

Frekuenca e automjeteve në këtë rrugë është e lartë dhe lëvizja është shumë e rrezikshme, ndaj shoferët ankohen se nuk ndjehen të sigurt kur kalojnë atje.

“Rruga e Qafë Thanës është katastrofë, vetura çdo ditë e më shumë shkatërrohen,  ne japim para për sigurime, në regjistrimin e veturave por nuk kemi siguri. Pengesa të ndryshme, dëme të mëdha, sepse e dimë standardin tonë.”,- tha një qytetar.

“E kam hedhur tek hekurishtet, rruga është katastrofë, s’ka jetë këtu tani, nisem për Gjermani.”,- u shpreh një qytetar.

“Rruga për Qafë Thanë, rrugë më të keqe nuk ekziston në botë, gjithë botën e kam ecur ama rrugë më të këqija prej kësaj s’ka.  Turp i gjallë, vend turistik, rrugë magjistrale lidh Shqipërinë, me  detin. Më i mirë është ai asfalti para 50 viteve se ky.”,- theksoi një qytetar.

NP “Rrugët e Maqedonisë së Veriut”: Mjetet janë siguruar, po vlerësohen ofertat

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë së veriut” thonë se janë siguruar mjete për rindërtimin e rrugës, por ende janë duke u vlerësuar ofertat, në përputhje me rregullat e Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim.

“Për rehabilitimin e rrugës shtetërore A2, seksioni rrugor: Podmolje - Strugë – Qafë Thanë, me gjatësi 19.03 km, janë siguruar mjete nga BERZH-i, në vlerë prej 8 milionë euro. Për këtë pjesë, si dhe për rehabilitimin e 5 rrugëve, është shpallur tender për prokurimin e punimeve të ndërtimit. Vlerësimi i ofertave të pranuara është në vazhdim, në përputhje me procedurat e prokurimit dhe rregullat e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pas miratimit të vlerësimit nga BERZH do të vijojë procesi i nënshkrimit të kontratës me ofertuesin më të favorshëm.”,- thanë nga NP “Rrugët e Maqedonisë së Veriut”.

Qytetarët kanë bllokuar disa herë këtë rrugë duke protestuar. Protesta e fundit ishte disa muaj më parë, por ata thonë se do vazhdojnë të protestojnë derisa rruga të rregullohet. (Ilmije Zhaku, TVM2)