Maqedoni

VMRO vazhdon bllokimin aktiv të Kuvendit, Misajlovski: Pengojmë ligjet në favor të pushtetit

11.05.2022 14:53

VMRO-DPMNE vazhdon bllokimin aktiv të punës Kuvendit...

VMRO-DPMNE vazhdon bllokimin aktiv të punës Kuvendit. Akuzojnë pushtetin se po miraton ligje në dëm të qytetarëve dhe në favor të zyrtarëve nga subjektet politike në pushtet. Veç kësaj, VMRO-DPMNE konsideron se rezultati i zgjedhjeve lokal provon vullnetin politik të qytetarëve për ndryshim.    
 
“Në të kaluarën bllokuam shumë ligje që ishin të dëmshëm, të njëjtën e bëjmë edhe tani, por më fuqishëm dhe do të përpiqemi të jemi aktiv të gjithë deputetët, të diskutojmë në çdo temë të mundshme dhe t’i demaskojmë, pasi çdo i dyti ligj është në interes të partisë LSDM ose BDI-së. Askush nuk mund të na gjykojë që VMRO DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ne jemi opozitë dhe kjo na takon ta bëjmë, ndërkaq mbi 70% e qytetarëve s’janë të kënaqur nga ky pushtet dhe duan zgjedhje.”,- tha Vllado Misajllovski nga VMRO-DPMNE. 
 
Sela: Bllokimi i parlamentit po tregohet i arsyeshëm
 
Aleanca për Shqiptarët edhe pse ka agjendën e saj politike arsyeton veprimin politik të VMRO DPMNE-së për të bllokuar punimet e Kuvendit. Ndajnë bindjen se Kuvendi po keqpërdoret nga partitë në pushtetit dhe se opozita ndjehet e ngulfatur.
 
“Duke pasur parasysh krejt çfarë bëjnë këta dhe si sillen këta, që Parlamentin e kanë shndërruar në vegël në duar të interesave dhe të xhepave të pushtetarëve nga partitë politike që e përbëjnë shumicën dhe Qeverinë, atëherë çdo ditë e më tepër po tregohet i arsyeshëm edhe bllokimi i Parlamentit.”,- theksoi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Kuzevska: Opozita s’bën punë, të kthejë paratë
 
LSDM me kundër akuzë. Deputetët e opozitës paguhen nga paratë e qytetarëve që të punojnë për interesat e qytetarëve dhe shtetit dhe jo të bllokojnë institucionet, thonë nga partia e Kovaçevskit. 
 
“Shohim se deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk hyjnë në séanca, nuk caktojnë séance të komisioneve që udhëheqin, përkatësisht nuk punojnë asgjë në interes të qytetarëve. Ne vend të bllokimeve të Kuvendit, në kohë të krizës ekonomike botërore, deputetët e VMRO-DPMNE-së le të kthejnë paratë që marrin për rroga, mëditje, shpenzime rruge dhe për telefon.”,- u shpreh Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
 
LSDM zotohet se shumica parlamentare do të gjej mënyra, në harmoni me mundësitë ligjore dhe të Rregullores, që të miratojë ligjet me interes për qytetarët. 
 
SHPËTIM NUREDINI