Maqedoni

Pa epilog takimi SAShK - MASh, negociatat vijojnë të premten pasdite

11.05.2022 15:46

Takimi mes MASh-it dhe SAShK-ut për harmonizimin e pagave për punonjësit e arsimit...

Takimi mes MASh-it dhe SAShK-ut për harmonizimin e pagave për punonjësit e arsimit si dhe për definimin e afateve kontraktimin e marrëveshjeve të reja kolektive përfundoi pa epilog. Përfaqësuesit e SAShK-ut refuzuan të prononcohen para mediave në interes të negociatave, por në komunikatën e tyre për rrjedhën e bisedimeve thuhet:
 
“Të dyja palët debatuan për çështjet që duhet të jenë pjesë përbërëse e marrëveshjeve kolektive. U debatua edhe për kornizën kohore për përpunim, nënshkrim dhe zbatimin e marrëveshjeve në periudhën që pason”. 
 
Mospagesa e rrogave në kopshte, MPPS: Pagën t’ua sigurojë organizatori i grevës
 
Të enjten ndërkohë sindikalistët do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për të gjetur zgjidhje për pagesën e mëditjeve të edukatoreve gjatë kohës së grevës. Nga MPPS përgjigjen për këtë çështje  përmes komunikatës ku thuhet:
 
“Në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie të Punës, dhe Marrëveshjeve Kolektive për institucionet parashkollore, punëdhënësi është i obliguar që pjesëmarrësve të grevës t’ua paguajë kontributet dhe tatimet e rrogës të përcaktuara me shkresë të veçantë, për bazën minimale për pagesën e kontributeve. Organizatori i grevës nga mjete vetanake duhet të sigurojë pagën neto gjatë kohëzgjatjes së grevës për punëtorët që kanë qenë pjesëmarrës në grevë.’’ 
 
Harmonizimi përfundimtar mes SAShK dhe MASh në lidhje me këto çështje, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e përqindjes së pagave, pritet të arrihet në takimin e radhës pasditen e së premtes me ndihmën e ndërmjetësuesit.

FLUTURA LATIFI