Sela: Dënim kujtdo që shkel të drejtat e të burgosurve
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela....

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, vlerëson se në Maqedoninë e Veriut, liria e qytetarit është ajo që goditet më së shumti, përfshi këtu edhe lirin e personave që vuajnë dënime në burgje.
Duke komentuar për grevën e të burgosurve për “Rastin e Kumanovës”, Sela thotë se ata të burgosur që plotësojnë kushtin ligjor për të dal në fundjavë, duhet të lejohen, si dhe tu lejohet takimi me familjarët ndërsa kompetentët që e pengojnë këtë të drejt të përgjigjen para Prokurorisë.
“Këto që keqpërdorin detyrën dhe nuk i lëshojnë dhe i ndajnë të burgosurit në bazë të emrit dhe mbiemrit që ka, në bazë të përkatësisë etnike që ka. Këto natyrisht që meritojnë që të përgjigjen para prokurorisë e jo të vazhdojnë të mbajnë pozicionet e drejtorëve.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Rastet e montuara, Sela: Gashi e shkeli besën sa hyri në pushtet
Sela ndërkohë nuk beson se partia “Alternativa” mund të realizojë premtimin me të cilin u bë pjesë e qeverisë për zgjidhjen e rasteve të montuara. Ai tha se ish partneri i koalicionit shfrytëzoi këtë rast vetëm sa për tu bërë pjesë e pushtetit.
“Aleanca për Shqiptarët ka zgjidhje. Kuptohet që një pjesë të zgjidhjes që ne e kemi shkruar në program, ish partneri i koalicionit e futi në program, por unë skam pritur që ndonjëherë ata ta realizojnë sepse nuk e kanë menduar mirë kur e kanë lexuar sepse nuk e kanë ideuar. Nuk janë shqetësuar shumë për atë pjesë të programit dhe prandaj nuk do ta realizojnë. E shfrytëzuan vetëm për të pasur arsyetim përpara opinionit që do t’i zgjidhin proceset e montuara politike por nuk do t’i zgjidhin. Proceset e montuara politike do të zgjidhen vetëm kur Aleanca për Shqiptarët do të jetë pjesë e shumicës.”,- theksoi kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
Sipas kreut të ASH-së, rasti i Kumanovës marrë parasysh vitin dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur kërkon një rigjykim. (Sanije Duraku, TVM2)
