Maqedoni
"Vende miqësore për autizmin", SHKMA: Duhen trajnime të asistentëve edukativë
11.05.2022 17:18
Vendi ynë nuk ka një regjistër me numrin e saktë të personave me spektër autik...

Vendi ynë nuk ka një regjistër me numrin e saktë të personave me spektër autik, por sipas krahasimeve me përqindjet në vendet e tjera, ky numër pritet të jetë rreth 20 mijë. Për integrim më të lehtë të tyre, është e nevojshme krijimi i vendeve miqësore për ta. Pikërisht ky është edhe qëllimi i projektit që në tri vitet e fundit është realizuar nga Shoqata Shkencore e Maqedonisë për Autizëm.
“Në komunat në brendi ndodhin herë pas here ngjarje të pakëndshme ku ata nuk duan t'i presin ose nuk dinë si t'i trajtojnë sepse nuk janë të trajnuar si ta bëjnë këtë. Tani, me asistentët edukativ vjen edhe njëfarë optimizmi dhe shprese, por edhe ata duhet të aftësohen për të punuar me fëmijët me spektër autik. Në këtë mënyrë do të jetë më e lehtë për fëmijët sepse fëmijët me spektër autik janë të arsimueshëm dhe mund të arrihet shumë në zhvillimin e tyre.”,- tha kryetari i Shoqatës Shkencore të Maqedonisë për Autizëm, Vladimir Trajkovski.
“Edhe pse qyteti ka burime të kufizuara, ne jemi në mes, jo vetëm të krizës ekonomike dhe shëndetësore, por duam të dëgjojmë zërin dhe duam që në politikat e qytetit të zbatojmë gjithçka që mundemi.”,- theksoi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
Koncepti i "Vendeve miqësore për autizmin" synon të sigurojë akses më të madh për njerëzit dhe fëmijët me autizëm në shoqëri. Projekti financohet nga programi “Erasmus Plus” i BE-së dhe zbatohet me dy shoqata nga Malta, "Prismi" dhe “Autism Euro”.
SEDAT SELIMI
