SHBA, nuk ndryshon plani i tërheqjes nga Afganistani

06.01.2015 12:46

Ushtria e Shteteve të Bashkuara thotë se orari për ulje të mëtejshme të numrit të trupave në Afganistan nuk ka ndryshuar, pasi presidenti afgan, Ashraf Ghani, kishte sugjeruar se ky plan duhet të rishqyrtohet.....

Zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, tha mbrëmë vonë se “plani mbetet i tillë dhe nuk ka pasur ndryshime për orarin e tërheqjes”.

Shtetet e Bashkuara po i mbajnë më se 10 mijë trupa në Afganistan, pas përfundimit të misionit luftarak të udhëhequr nga NATO-ja, që përfundoi në dhjetor. Warren, tha se deri në fund të këtij viti numri i trupave do të zvogëlohet në 5 mijë, ndërsa në vitin 2016 do të ketë një prani “normale” në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin Kabul.

Për shkak të sulmeve të shpeshta të militantëve talibanë, presidenti afgan, Ashraf Ghani, pardje ka kërkuar që “të ketë vullnet për rishqyrtim të afatit”. Analistët thonë se presidenti amerikan, Barack Obama, eventualisht do të mund ta rishqyrtonte orarin e tërheqjes dhe se në këtë kuadër, nëse ai vendos ta bëjë këtë, atëherë deklarata e Ghanit do të ndihmonte në arsyetimin e vendimit të tij.