Maqedoni

Kaos pasdite në Kuvend, Xhaferi: Qytetarët presin që të funksionojmë, e ne do funksionojmë

11.05.2022 20:33

Gjatë Seancës parlamentare të pasdites, VMRO-DPMNE bllokoi foltoren pasi koordinatorit...

Gjatë Seancës parlamentare të pasdites, VMRO-DPMNE bllokoi foltoren pasi koordinatorit të grupit të saj parlamentar, nuk ju dha e drejta për procedurale. Kjo shkaktoi kaos në kuvend teksa tensioni dhe zërat mes Micevskit dhe kryeparlamentarit Xhaferi u ngritën jashtë bontonit parlamentar. 
 
Kryeparlamentari e futi në rend dite për votim rendin e ditës gjë që shkaktoi tension shtesë mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së që iu afruan panelit ku qëndronte ai. Xhaferi vazhdoi seancën duke numëruar 61 votat pro të shumicës mes 100 deputetëve të pranishëm, dhe 39 “kundër”, të deputetëve që kishin rrethuar foltoren,  në përpjekje për të ndaluar votimin. 
 
"Mund ta konsideroni diktaturë, mund ta konsideroni demokraci, por kjo është procedura. Shijoni demokracinë, “Rregullorja e Punës.”, është kryefjala këtu", tha Xhaferi.
 
"Ju keni marrë vendim për ndryshimin e Rregullores së Punës. Më besoni, kjo do të studiohet si praktikë negative në Fakultetin Juridik.", u kundërpërgjigj  Micevski.
 
“Le të studiohet” – ishte komenti i Xhaferit duke i përkujtuar opozitës se qytetarët presin që Kuvendi të funksionojë dhe ai do të funksionojë.