Botë

Dita e 78 e luftës në Ukrainë, Von Der Leyen: Rusia, kërcënimi më i madh global

12.05.2022 16:09

Sjellja e Rusisë në Ukrainë dhe jashtë saj është cilësuar si kërcënimi më i madh për stabilitetin global...

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sjella e Rusisë është shqetësuese. Ajo ndodhet në Tokio për samitin e 28 BE-Japoni, ku pika kryesore e diskutimeve është lufta në Ukrainë. Në këtë samit u diskutua edhe qëndrimi indiferent i Kinës, dhe tendenca e BE-së për konsultime më të thella me Kinën dhe për qasjen e saj ndaj  kësaj lufte.

“Rusia sot është kërcënimi më i drejtpërdrejtë për rendin botëror me një luftë barbare kundër Ukrainës dhe paktin e saj shqetësues me Kinën dhe thirrjen e tyre për marrëdhënie të reja dhe shumë arbitrare ndërkombëtare.”,- tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

“Agresioni rus kundër Ukrainës trondit themelet e të gjithë rendit ndërkombëtar, jo vetëm për Evropën, por edhe për Azinë, dhe nuk mund të falet kurrë.”,- u shpreh kryeministri japonez, Fumio Kishida.

“Ne duam të thellojmë konsultimin tonë me Kinën e cila. Besojmë se Kina duhet të ngrihet për të mbrojtur sistemin shumëpalësh nga i cili ka përfituar në zhvillimin e vendit të saj. Rusia është përgjegjës për krimet e luftës,prandaj , duhet dhe do të sillen para drejtësisë.”,- theksoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Për krimet e luftës në Ukrainë është deklaruar edhe OKB-ja.

"Jam e tronditur nga përmasat e shkatërrimit dhe shkeljet e shumta të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar që thuhet se janë kryer në qytet, duke përfshirë sulmet kundër civilëve dhe objekteve civile. Një qytet dikur i lulëzuar është në gërmadha. Ne vlerësojmë se numri i viktimave civile në Mariupol është me mijëra, ndërsa  me kalimin e kohës do të bëhet e qartë shkalla e vërtetë e mizorive, viktimave dhe dëmeve.",- deklaroi komisionerja e lartë e OKB-SË për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut gjatë ditës do të vendosë nëse do t’u kërkojë zyrtarëve të kryejnë një hetim të plotë mbi ngjarjet që ndodhën në Kiev dhe rajone të tjera në muajin shkurt dhe mars.

FARIJE DAUTI BAKIJU