Në ditën e nëntë të kërkimit 37 nga 162 trupa të gjetur
Kërkimet për trupat e viktimave dhe pjesët e mbetura të avionit “AirAsia” kanë hyrë sot në ditën e nëntë....

Prioritet i autoriteteve mbetet gjetja e kutisë së zezë për të kuptuar edhe misterin e aksidentit tragjik, ku jetën e humbën 162 persona teksa po udhëtonin nga Surabaja drejt Singaporit më 28 dhjetor.
Moti i keq ka penguar vazhdimisht përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar copëzat e avionit dhe për t’i nxjerrë ato në sipërfaqe, si dhe trupat e pajetë, nga të cilat deri më tani janë gjetur 37. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit dhe pavarësisht operacioneve të gjera të kërkimit, pjesa kryesore e objektit nuk është gjetur ende.
Kreu i Agjencisë indoneziane të Kërkim-shpëtimit, para mediave tha se ekipet janë të angazhuara intensivisht në zonën e shpallur si prioritare.
"Ne jemi duke e zgjeruar zonën prioritare të kërkimit. Gjithashtu ne jemi të fokusuar në gjetjen e trupave dhe pjesëve të tjera të aeroplanit, në veçanti kutinë e zezë. Për fat të mirë moti është përmirësuar, kështu që pajisjet nënujore janë vendosur, ndërsa polumbarët kanë qenë në gjendje të vazhdojnë operacionet e tyre”- deklaroi kreu i Agjencisë indoneziane të Kërkim-shpëtimit, Hanry Bambang Soelistyo.
Autoritetet, gjithashtu, paralajmërojnë se pavarësisht nga ajo që moti është shumë i mirë, ai mund të përkeqësohet sërish gjatë ditës, gjë e cila do të përkeqësonte kërkimet.
Dhjetëra anije dhe aeroplanmbajtëse janë përfshirë në operacione, të ndihmuara nga anije kineze dhe amerikane, që i janë bashkuar misionit këtë të martë. Në fokus është një zonë e detit prej rreth 90 miljesh detare larg lokalitetit Borneo, ku objekte të mëdha, që mund t’i përkasin avionit, janë zbuluar në ujëra të cekëta. (Leunora Kaliqi, TVM2)
