DASh: Kosova dhe Serbia janë shtete, ato vendosin vet për politikën e jashtme
Kosova është shtet Sovran dhe i zgjedh vet prioritetet e politikës së Jashme, vleërson Departamenti amerikan i Shtetit...

Kosova është shtet Sovran dhe i zgjedh vet prioritetet e politikës së Jashme, vleërson Departamenti amerikan i Shtetit.
“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.
Kjo deklaratë e Departamentit amerikan të Shtetit vjen pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit. Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium - po ashtu njëvjeçar - mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.
Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t'i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.
