Bisedimet me Bullgarinë, Kovaçevski: S'kemi dokument dakordimi me Sofjen
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria...

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria akoma nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët dhe as nuk kanë firmosur dokument për tejkalimin e dallimeve dypalëshe, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Për momentin sipas tij, vazhdojnë bisedimet mes ministrive në nivel konstruktiv dhe nën frymën evropiane.
Ndërkohë nuk komenton nëse pas samitit të qershorit do të mund të fillojnë negociatat mes BE-së dhe vendit tonë. Datat nuk kanë rëndësi nëse nuk e kemi në dorë dokumentin e pajtueshmërisë me fqiun lindor, thekson Kovaçevski.
“Ministritë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë komunikojnë mes vete. Ata nuk kanë dokument të dakorduar që do të mund të ishte bazë për miratimin e vendimeve nga të dyja palët. Sa i përket qershorit si ndonjë datë, është e vërtetë se do të ketë samit deri atëherë, por ne aspak nuk lidhemi me data, sepse neve na duhet zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët, për të cilën duhet të ketë konsensus. Na duhet bazë për ndërtimin e raporteve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgaris për të ardhmen” – tha Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski.
Petkov: Vijojnë bisedimet, ende asgjë konkrete
Edhe kryeministri bullgar Kiril Petkov konfirmon se bisedimet me Shkupin vijojnë, por nuk ka asgjë konkrete dhe nuk është planifikuar nënshkrim i ndonjë dokumenti.
“Takimi akoma nuk është finalizuar. Por një është e sigurtë. Ne vetëm po e vazhdojmë dialogun konstruktiv, por nuk do të nënshkruhet asgjë konkrete" - ka thënë Petkov, për televizionin BGNES.
Një ditë më parë ai deklaroi se Bullgaria realisht nuk e pengon zgjerimin e BE-së dhe se e mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. (Nermin ulaki – Fejzullahu, TVM2)
