Maqedoni

Klinikat punojnë me kujdestari edhe për festa

06.01.2015 16:13

Klinikat e kryeqendrës janë në gjendje gatishmërie për të pranuar pacientët, sidomos rastet urgjente edhe në ditë festash...

Qendra Urgjente pranë Klinikës Universitare në Shkup, përpos ekipeve të rregullta të kujdestarisë, në gjendje gatishmërie ka vënë edhe ekipe shtesë të personelit mjekësor. 
 
Drejtori, Rexhep Selmani, thotë se masat e tilla janë ndërmarrë që pacientët në kohë dhe në mënyrë efikase të marrin trajtimin e duhur.
 
“Ne kemi një organizim mjaft të mirë për ditët e festave dhe për shkak të kushteve atmosferike ka një numër më të madh të rasteve urgjente në Qendrën Urgjente në Shkup dhe ne pos ekipeve të rregullta të kujdestarisë, kemi organizuar që të kemi edhe ekipe në gatishmëri, që sipas nevojës ata të thirren në vendet e punës, kështu që pacientët të cilët kanë nevojë për trajtim urgjent, atë do ta marrin në kohë dhe me kualitetin e duhur”- deklaroi drejtori i Qendrës Urgjente në Klinikën Universitare, Rexhep Selmani.
 
Shumica e pacientëve të pranuar trajtoheshin për lëndime të marra në aksidente trafiku. Ata shprehen të kënaqur nga shërbimi i marrë.
 
“Jam këtu pasi lëndova dorën. Shërbimet mjekësore janë shumë të mira. Unë jam i kënaqur”- tha një qytetar.
 
“Menjëherë të pranojnë, mirë intervenojnë, mirë është”- theksoi një qytetar.
 
Por, fat për të mbaruar punë nuk ka pasur edhe ky pacient. Kishte vajtur për të marrë listën e insulinës, por kishte hasur në dyer të mbyllura.
 
“Isha në farmaci për insulinë dhe më thanë që ajo listë nuk vlen më. Erdha te mjeku që të marr listë tjetër, por ai nuk ishte sot në punë dhe më duhet të kthehem sërish në farmaci, që mundësisht të më japin të paktën një insulinë”- u shpreh një qytetar.
 
Edhe poliklinikat kanë caktuar ekipe kujdestarie. Me mjekët kujdestarë qytetarët veç më mund të konsultohen edhe nëpërmjet linjës së telefonit “Alo doktor” në numrin: 15-123.
 
MERAL ISMAILI