Maqedoni
Strugë, kërkohet që e diela të jetë ditë pune në sezon
14.05.2022 14:05
Pas kërkesave të bizneseve të vogla dhe të mëdha në çarshinë e Strugës, komuna e Strugës...

Pas kërkesave të bizneseve të vogla dhe të mëdha në çarshinë e Strugës, komuna e Strugës ka bërë kërkesë që Struga të përjashtohet nga ligji për të dielën si ditë jo pune gjatë sezonit turistik. E diela si ditë jopune ka shkaktuar dëme të mëdha financiare në ekonominë vendase dhe turizmin, tashmë të prekur rëndë nga kriza. Ekzistenca e qindra shitësve dhe punonjësve të tyre është në pikëpyetje.
“Komuna e Strugës bashkë me kryetarin Ramiz Merko i bashkangjitet kërkesës së punëtorve turistik, gastronomëve, lokaleve gjithashtu edhe shitoreve më të vogla, që e diela të jetë ditë pune, sepse e diela ditë jo pune mund të pengojë zhvillimin ekonomik lokale, sepse e dimë që Struga është qytet turistik edhe nvaret nga sezoni turistik. Kemi bërë kërkesë deri tek ministria e ekonomisë, gjegjësisht tek qeveria e RMV dhe presim që ditët në vijim të na vizitojë ministri dhe së bashku me kryetarin e komunës të marin një vendim për të mirën e këtyre qytetarëve.”, tha Besa Ziba, zëdhënëse në komunën e Strugës,
Pronarët e dyqaneve në çarshinë e Strugës thonë se pjesa më e madhe e punës së tyre në sezon, është fundjava, prandaj presin që të punojnë edhe të dielave.
“Është mirë ditëve të diela të punohet sepse kriza e bën të veten, do të ketë lëvizje të dielave se është vend turistik dhe normal që është mirë të punohet ditëve të diela.”, tha Verdi Zhaku, pronar i një dyqani.
Edhe bizneset në Ohër kanë kërkuar që e diela të punohet, ndërsa kanë marrë mbështetje edhe nga komuna. Pritet që vendimi të merret nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për të dy qytetet në Liqenin e Ohrit.
