Plenumi edhe më tej kundër provimit shtetëror

06.01.2015 16:50

Profesorët dhe studentët, që janë pjesë e Plenumit Studentor, janë edhe më tej decid në qëndrimin e tyre për tërheqjen e propozim-ligjit për arsim sipëror dhe hapjen e një debati, ku do të detektohen problemet lidhur me rënien e cilësisë në arsim...

Nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, ata paralajmërojnë protesta, por nuk përjashtojnë edhe masa më radikale.

“Këto masa mendoj se duhet të jenë më radikale, të fillojnë studentët me protesta të qeta dhe dinjitoze dhe më pas, varësisht nga rastet, kushtet, do të vendosin edhe për hapat e mëtejmë”- deklaroi profesori universitar, Asllan Hamiti.

“Cilësia në arsim nuk arrihet me frikë, me kontroll, me imponime, me ashpërsime të ligjeve dhe kështu me radhë, cilësia arrihet në mënyrë tjetër dhe këtë e dinë të gjithë politikbërësit të cilët janë bartës të reformave në procesin arsimor”- tha profesori universitar, Xheladin Murati.

Botimi në revista me “impakt faktor” nga profesorët nuk duhet të jetë kriter esencial për vlerësimin e cilësisë së profesorit, duke pasur parasysh faktin se Maqedonia investon shumë pak në shkencë në krahasim me vendet tjera në rajon, theksojnë profesorët.

“Në fushën e kërkimeve dhe hulumtimeve shkencore investohet shumë pak ose aspak dhe është e palogjikshme që të kërkohen edhe rezultate në nivel botëror dhe në ligjin ekzistues që kemi, çështjet që janë të lidhura për gjuhën, kulturën dhe letërsinë kombëtare, ato janë të hequra që të botohen në revista ndërkombëtare”- theksoi profesor universitar, Asllan Billalli.

“Vetë elementi se në Maqedoni investohet shumë pak në shkencë, flet qartë se nuk investohet apo nuk imponohet në mënyrë të arsyeshme, që profesorët të kenë mundësi të shkojnë paralel me shkencën botërore”- u shpreh profesori universitar, Xheladin Murati.    

Profesorët thonë se kërkesat e tyre duhet të merren parasysh, sepse ata janë drejtpërdrejt të kyçur në këtë proces dhe realizimi i provimit shtetëror nuk do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë në arsimin sipëror. (Flutura Latifi, TVM2)