Maqedoni
MPB: rriten aksidentet si pasojë e borës dhe ngricave
06.01.2015 17:11
Bora dhe ngricat po vazhdojnë të shkaktojnë probleme të mëdha në komunikacion, duke shtuar numrin e aksidenteve në mbarë vendin tonë...

Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, në Shkup kanë ndodhur katër aksidente trafiku si pasojë e ngricave dhe borës, ndërsa gjatë fundjavës së kaluar numri i aksidenteve ka arritur në 16, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.
“Gjatë mbrëmjes së djeshme, në zonën e Shkupit janë shkaktuar gjithsej 4 aksidente. Në një aksident një person ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 2 persona lëndime të lehta trupore. Në 2 aksidente trafiku 2 persona gjithashtu kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Ndërsa në një aksident tjetër ka vetëm dëme materiale”- deklaroi Marija Jakovlevska nga MPB.
Ndonëse sot nuk kishte lëvizje të shumta në komunikacion, në disa udhëkryqe për shkak të ngricave dhe borës rekomandohej kujdes i veçantë gjatë vozitjes.
Një nga mënyrat më të mira për t’iu shmangur aksidenteve në komunikacion është që të respektoni rregullat e vendosura dhe të keni pajisjet dimërore. Në këto kushte dimërore është e preferuar edhe të ngisni makinën më ngadalë.
Edhe të anketuarit e TVM-2 theksojnë faktin se lëvizja në komunikacion është vështirësuar dukshëm pas reshjeve të borës dhe temperaturave të ulëta.
“Ne shumë mirë i respektojmë, megjithëse rinia nuk i kanë lejet ashtu siç duhet të marra, ato nuk i respektojnë, ndërsa ne që jemi më të pjekur i respektojmë ligjet e komunikacionit”- tha një qytetar.
“Rruga është e vështirë, nuk ka rregullime”- theksoi një qytetar.
Edhe MPB-ja edhe qytetarët apelojnë që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e sidomos vozitësit këtyre ditëve, të jenë më të kujdesshëm.
ERSAN PAJAZITI
