Maqedoni

Stavrevski: 20 milionë euro në dispozicion të komunave

06.01.2015 17:14

Me ndihmën e Bashkimit Evropian, qeveria ka siguruar 20 milionë euro, të cilat do të dedikohen në formë grantesh të pakthyeshme për komunat e vendit...

Me ndihmën e Bashkimit Evropian, qeveria ka siguruar 20 milionë euro, të cilat do të dedikohen në formë grantesh të pakthyeshme për komunat e vendit, ndërsa prioritet do të kenë komunat rurale.
 
Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Zoran Stavrevski, i cili sqaroi se mjetet do të mund të shfrytëzohen nga komunat me anë të projekteve, të cilat do të jenë në interes të qytetarëve.
 
Nga këto mjete komunat rurale do të mund të përfitojnë nga 260 mijë euro, ndërsa komunave urbane, që përfshijnë edhe zona rurale, do t’u ndahen nga 140 mijë euro.
 
“Mjetet janë të dedikuara për projekte infrastrukturore, sipas prioriteteve të komunave. Do të thotë, do të mund të ndërtohen rrugë lokale, mund të shfrytëzohen për tregje, për çerdhe për fëmijë, ujësjellës, kanalizime dhe tërë ajo që komunat vlerësojnë që është prioritet, por patjetër të jetë në interes të qytetarëve, përkatësisht të ndihmojë në përmirësimin e kushteve për jetë të qytetarëve”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
 
Për të përfituar nga këto mjete, komunat do të duhet të aplikojnë në tre muajt e ardhshëm me projekte konkrete, ndërsa projektet do të vlerësohen nga Ministria e Financave dhe Bashkimi Evropian.
 
Po ashtu, ministri Stavrevski përkujtoi komunat edhe për mundësinë për realizimin e projekteve me anë të kredive nga Banka Evropiane për Zhvillim, mjete që po ashtu duhet të jenë të dedikuara për zhvillimin e komunave. 
 
GYLTENE SINANI