Maqedoni

MASH-i dhe Qeveria apel për propozime rreth reformave

06.01.2015 17:17

Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, zotohet se do t’u japë fund dukurive negative në arsim...

Ademi thotë se “është në përgjegjësi të tij të sigurojë arsim cilësor  për një shoqëri të shëndoshë dhe një vizion evropian për vendin”.
 
Ai po ashtu tha se “si ministër, përgjegjës për arsim dhe shkencë, angazhohem për përmirësimin e kushteve të punës së mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit, kushte më të mira për nxënësit dhe studentët dhe për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në hartimin e politikave në arsim”.
 
Ademi për këtë kërkoi përkrahjen e qytetarëve dhe komunitetit akademik. 
 
“Ndryshimet e propozuara synojnë përmirësimin e situatës në arsim, situatë e konstatuar gjatë kontrollit në institucionet e arsimit të lartë, privat dhe publik, por edhe duke i ndjekur trendet evropiane dhe botërore në arsim”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi. 
 
Ademi thotë se qëllimi i reformave është që të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë, si dhe nivelet tjera të arsimit. 
 
“Biznesmenët dhe investitorët e huaj vërejnë se po përballen me probleme kur kërkojnë punëtorë të kualifikuar dhe se një pjesë e të diplomuarve nuk i plotësojnë kriteret dhe njohuritë minimale. Në pakon e ligjeve në arsim, fokusi është mbi nxënësit dhe kuadri arsimor në të gjitha nivelet e arsimit në shtet”- tha Ademi. 
 
Për publikimin e punimeve në revista me “impakt faktor”, ministri Ademi theksoi që ministria është e vetëdijshme se kjo kërkon parakushte, por edhe një angazhim serioz të kuadrit mësimdhënës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës është e hapur për debate dhe propozime konkrete dhe të njëjtat do të analizohen dhe mund të pranohen.
 
Do të diskutojmë dhe shkëmbejnë mendime, por nuk do të thotë se për çdo gjë do të pajtohemi, ka theksuar para anëtarëve të pranishëm të Komisionit Inter-Universitar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi. 
 
Ndërkohë edhe nga ana e qeverisë kanë ftuar të gjitha palët e arsimit të lartë të dërgojnë propozimet, sugjerimet dhe vërejtjet e tyre deri tek qeveria dhe Ministria e Arsimit lidhur me reformat. 
 
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë bën edhe një thirrje publike deri tek të gjitha subjektet që kanë interes dhe ide konkrete të argumentuara, si dhe propozime për përparimin e reformës, deri tek të gjitha universitetet, deri tek profesorët e studentët, duke i përfshirë edhe ata profesorë e studentë të cilët dje kërkuan dhe pranuan pjesëmarrje në debat dhe pastaj vendosën të mos marrin pjesë në të njëjtën, që të dërgojnë propozimet e tyre për plotësimin e tekstit dhe neneve të reformave ligjore të propozuara. Të njëjtat t’i dërgoni tek Ministria e Arsimit dhe Shkencës në formë të shkruar ose te qeveria, me qëllim që të shikohen detajisht dhe të inkorporohen në ndryshimet e propozuara”- thuhet mes tjerash në njoftimin e Qeverisë së RM-së. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIU