BP: Në 2022, rritja ekonomike 2.9%, inflacioni 8.8
Lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë....
Lufta në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë i prishën zinxhirët e furnizimit në mbarë botën, duke gjeneruar edhe një krizë energjetike dhe rritje enorme të çmimeve. Situata aktuale si dhe pasojat e pandemisë bëri që Banka Popullore ka dalë me shifra të reja të projeksioneve, dukshëm më të dobëta krahasuar me projeksionet e mëparshme.
Sipas analizave më të reja të BP, rritj a ekonomike në vitin 2022 do të jetë 2.9%, kurse inflacioni në vend do të arrij në 8.8%.
“Projeksionet e fundit flasin për një inflacion mesatar prej 8.8% në vitin 2022, me pritshmëri për stabilizim gradual deri në fund të vitit. Pasiguria për lëvizjet e ardhshme të çmimeve është jashtëzakonisht e lartë, por sipas parashikimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, vlerësohet se presionet ndaj çmimeve do të stabilizohen gradualisht në fund të vitit, në mënyrë që vitin e ardhshëm pritet një ngadalësim i ndjeshëm i rritjes së çmimeve. Për rrjedhojë, për vitin 2023, norma e inflacionit pritet të ulet në 3%. Në terma afatmesëm inflacioni pritet të bie në 2%” – deklaroi Guvernatorja e Bankës Popullore të RMV-së, Anita Angellovska Bezhovska.
Edhe pse gjatë këtij viti u rritën edhe normat e kredive, nga Banka Popullore theksojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, aktiviteti kreditues i bankave luajti një rol të rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë dhe në qëndrueshmërinë e sistemit bankar.
“Edhe pse rritja e kredisë u përshpejtua në tremujorin e parë të 2022, pritjet janë që rritja do të vazhdojë deri në fund të vitit, por më e moderuar, në kushte të pasigurisë së theksuar, rritjes më të ngadaltë ekonomike dhe rritjes më të moderuar të depozitës bazë. Kështu, për tërë vitin 2022, rritja e kredisë do të ishte 7.7%.” – u shpreh Bezhovska.
Guvernatorja Bezhoska njoftoi se Banka Popullore është duke e monitoruar nga afër gjendjen në lidhje me inflacionin dhe tregun e këmbimit valutor dhe se po i merr të gjitha hapat e nevojshëm. (Ersan Pajaziti, TVM2)
