Maqedoni

Mickovski: Të gjitha opsionet janë të hapura

16.05.2022 15:44

VMRO-DPMNE dhe Lëvizja ‘Besa’ me qëndrime të ndara teksa janë pyetur në rast të zgjedhjeve...

VMRO-DPMNE dhe Lëvizja ‘Besa’ me qëndrime të ndara teksa janë pyetur në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare a do të mund të jenë në listë të përbashkët. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se të gjitha opsionet janë të hapura dhe se secili që është kundër kësaj qeveri është i mirëseardhur.
 
“Të gjitha opsionet janë të hapura, pse me Besën, sepse të gjitha opsionet janë të hapura. Secilin që është kundër kësaj Qeverie të kriminalizuar të udhëhequr nga LSDM-BDI janë të mirëseardhur”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Lëvizja BESA: Koalicion pas zgjedhjeve
 
Por zëvendëskryetari i Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha përmes një njoftimi në profilin e tij në Facebook shkruan se Lëvizja BESA do të hyj në koalicion me partitë maqedonase vetëm pas zgjedhjeve parlamentare.
 
“Lëvizja BESA gjatë veprimit të vet politik ka dëshmuar largpamësi politike duke dhënë shans për koalicione parazgjedhore por epilogu i atij koalicioni përfundoi duke mos lexuar drejt dhe saktë synimin e Lëvizjes BESA, prandaj në të ardhmen nuk do lejojmë që vizioni i Lëvizjes BESA të përdoret si shpëtim i partive maqedonase por do vazhdojmë që vizionin për të ardhmen e këtij shteti ta ndërtojmë duke bashkëvepruar me gjithë faktorin politik shqiptar që do të sjellë ndryshimin brenda spektrit politik shqiptar, duke e dërguar BDI-në në opozitë”, shkruan Hoxha.
 
Sipas tij partner i koalicionit qeverisës të Lëvizjes BESA nga pala maqedonase do jetë ajo parti që do pranojë që shtetin ta ndërtojmë mbi parimin e partneritetit të plotë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, me shanse të barabarta, të orientuar drejt integrimit në BE dhe me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.
 
NAIM RAMADANI