Maqedoni

USHT: vlerësim pozitiv për debatin rreth reformave në arsim

06.01.2015 17:40

Përfaqësuesit e USHT-së e kanë vlerësuar pozitivisht debatin e mbajtur dje në kuvend mes përfaqësuesve të qeverisë dhe universiteteve...

Përfaqësuesit e USHT-së e kanë vlerësuar pozitivisht debatin e mbajtur dje në kuvend mes përfaqësuesve të qeverisë dhe universiteteve lidhur me pakon e qeverisë për propozim-ndryshimet e Ligjit për Arsim të Lartë.
 
Prorektori i USHT-së, Fahri Ramadani, ka deklaruar se janë të interesuar dhe i përkrahin debatet të cilat kanë për qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në Maqedoni. 
 
“Ne si universitet jemi të hapur dhe të interesuar që të përkrahim çdo iniciativë e cila ka të bëjë me rritjen e cilësisë në arsimin sipëror, në arsimin tonë, mirëpo ne vlerësojmë se propozim-ligji ka edhe vështirësi, ka dhe mangësi dhe të gjitha këto besojmë se në të ardhmen, përpara se të miratohet ligji, do të përmirësohen. Ne si USHT kishim propozimet tona, të cilat i kemi shpalosur edhe dje në debatin e organizuar nga MASH-i, ku mori pjesë edhe kryeministri dhe propozues tjerë të qeverisë, universiteteve dhe mediave"- deklaroi prorektori i USHT-së, Fahri Ramadani.
 
Profesori Ramadani nënvizoi se universitetet mund të bëjnë analizë më të mirë të propozim-ligjeve të qeverisë, por edhe të japin edhe propozime më cilësore.
 
“Ne propozuam që fillimisht të formohen komisione në të gjitha universitetet dhe ata të merren dhe të shqyrtojnë detajisht propozim-ligjin dhe pastaj të dalin me propozimet konkrete. Ne propozuam që për ciklin e parë të studimeve në universitet provimi shtetëror, i propozuar nga MASH-i, të mos i përfshijë të gjitha lëndët, por vetëm lëndët që janë kryesore”- tha Ramadani.
 
Propozime rreth pakos së reformave në arsim nuk kanë munguar edhe nga UEJL-ja.
 
MEFAIL ISMAILI