Botë

OSHE: jugu i Shqipërisë përballet me mungesë të rrymës

06.01.2015 17:44

Mungesa e energjisë elektrike në zonën juglindore të vendit, si pasojë e motit të keq, ka bërë që operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike...

Mungesa e energjisë elektrike në zonën juglindore të vendit, si pasojë e motit të keq, ka bërë që operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike, OSHE, të shpallë gjendjen e emergjencës brenda kompanisë.
 
Ky operator ka ngritur rreth 22 brigada pune, ku bëjnë pjesë 150 punonjës të drejtorive rajonale, konkretisht të Shkodrës, Gjirokastrës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit e Fierit, të cilët po punojnë për të stabilizuar situatën.
 
Sipas OSHE-së, në datat 4 dhe 5 janar është bërë i mundur rikthimi i energjisë për 4508 abonentë dhe po ashtu është bërë identifikimi i abonentëve pa energji elektrike. Për shkak të motit të ashpër dhe bllokimit të disa akseve rrugore, ka ende mjaft zona problematike. 
 
Sa i përket situatës së motit, në zonat kryesore të vendit vazhdon të ketë vështirësi në qarkullim, por përgjithësisht gjendja e akseve nacionale paraqitet e përmirësuar. 
 
Situata vazhdon të jetë më problematike në qarkut e Korçës, Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Elbasanit, ku pavarësisht hedhjes së kripës dhe skories përsëri, lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë. Ndërsa në qarqet e tjera të vendit situata paraqitet më e mirë, por edhe këtu duhet pasur kujdes, sepse mund të formohet akull, duke u bërë shkak për aksidentet në rrugë. 
 
Autoriteti rrugor shqiptar kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit dhe apelon të jenë të pajisur me zinxhirë dhe të informohen për gjendjen e rrugës përpara se të udhëtojnë në akset problematike.
 
LULJETA NDOKA