Ukrainë, ushtarët ukrainas evakuohen nga Mariupoli
Ushtria ukrainase ka njoftuar se është duke punuar....

Ushtria ukrainase ka njoftuar se është duke punuar për të evakuuar të gjitha trupate saja ushtarake që kanë mbetur në fabrikën Azovstal në Mariupol.
Kjo nënkupton se Rusia merr kontrollin e qytetit pas disa muajsh bombardime. Evakuimi i qindra luftëtarëve, disa edhe të plagosur, mund të shënojë fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme në luftën në Ukrainë dhe mund të konsiderohet si humbje për këtë shtet.
Qyteti i Mariupolit është shkatërruar pas pushtimit rus dhe Ukraina ka thënë se dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë atje.
“Garnizoni i Mariupolit e ka përmbushur misionin e tij luftarak”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase përmes një deklarate.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes në Ukrainë, Anna Malyar, ka thënë se 53 luftëtarë të plagosur janë dërguar në spital në qytezën Novoazovsk, të kontrolluar nga rusët, derisa 211 të tjerët janë dërguar në qytezën Olenivka, zonë e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Të gjithë të evakuuarit janë subjekt i këmbimeve potenciale të të burgosurve me Rusinë, ka shtuar ajo.
Rreth 600 trupa besohet se kanë qenë në fabrikë. Ndërkohë vijon të jetë tepër e paqëndrueshme situata e sigurisë në rajone të ndryshme të Ukrainës.
Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e së martës në Lviv, vetëm 15 km larg kufirit me Poloninë.
Sipas të dhënave paraprake, mësohet se avionët rusë goditën një bazë ushtarake në Lviv, ku mendohet se kishte armatim perëndimor, në ndihmë të ushtrisë vendase.
