Maqedoni
VMRO–DPMNE: Më 18 qershor protesta për ndryshime
17.05.2022 14:42
VMRO–DPMNE do të dalë në protesta më 18 qershor për rrëzimin e qeverisë...

VMRO–DPMNE do të dalë në protesta më 18 qershor për rrëzimin e qeverisë, ndryshime dhe standard më të mirë të jetesës. Vendimi i marrë në mbledhjen e komitetit ekzekutiv, erdhi pasi qeveria jo vetëm se nuk dëshmoi rezultate thonë nga VMRO, por që shpiu vendin në varfëri të thellë, inflacion, rritje të krimit dhe korrupsionit. Dalja nga situata e krijuar, sipas partisë së Mickovskit, janë zgjedhjet e parakohshme.
“Të gjithë këtë mosveprim, pushteti e kurorëzoi me krim dhe korrupsion, me partizim të gjyqësorit dhe administratës. Më shumë se një vit s’ka përgjegjësi për aksidentin në Llaskarcë, për spitalin e djegur modular në Tetovë dhe aksidentin në Bullgari. Është më se e qartë përse LSDM dhe BDI duhet të ikin.”,- theksoi deputeti i VMRO–DPMNE–së, Mile Lefkov.
LSDM: Të zhbllokohen komisionet dhe votohen ligjet
Social Demokratët e konsiderojnë të dështuar përpjekjen e VMRO-së për bllokim aktiv të kuvendit dhe nuk u ka mbetur asgjë tjetër përpos protestave. Social demokratët nuk e kontestojnë të drejtën për të protestuar por çështjen e zgjedhjeve të parakohshme e konsiderojnë të mbyllur.
“Populli nuk do bllokim. Është veprim i papërgjegjshëm përpjekja për krijim të krizave artificiale në kohën e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike. LSDM dhe shumica parlamentare do të vazhdojnë të punojnë për qytetarët, të sjellim masa dhe politika për mbështetje të standardit të qytetarëve dhe kompanive në këtë krizë më të madhe botërore.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Pushteti fton opozitën të zhbllokojë punën e komisioneve, përderisa VMRO–DPMNE këmbëngul për bllokimin aktiv në parlament duke shfrytëzuar edhe metoda të tjera për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
MERAL ISMAILI
