Maqedoni

Veprimet e opozitës, Ramadani: Kohë e gabuar për të kërkuar zgjedhje

17.05.2022 15:40

Analisti politik, Ismet Ramadani, konsideron se opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO-DPMNE....

Analisti politik, Ismet Ramadani, konsideron se opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO-DPMNE nuk do t’ia dalë të krijojë rrethana dhe mundësi për zgjedhje të parakohshme parlamentare me bllokim të Kuvendit dhe as me protesta. Qëllimi i opozitës për të ardhur në pushtet është legjitim dhe legal por, koha dhe mjetet janë të gabuara, konsideron Ramadani. Sipas tij, kërkesa për zgjedhje të parakohshme veç që është kundërshtuar nga shumica parlamentare, nuk ka gjetur as përkrahje nga faktori ndërkombëtar. Sakaq, VMRO-DPMNE nuk ka ofruar publikisht asnjë zgjidhje për krizat me të cilat përballet vendi, thekson Ramadani.
 
“Më duket se ka gabuar edhe hapësirën edhe kohën për të krijuar rrethana për zgjedhje të parakohshme sepse vështirë është që të ketë ndonjë përkrahje. Pikësëpari nga faktori ndërkombëtar pothuajse po ironizohet tendenca e Mickovskit që të krijojë kushte, apo situatë të tensionuar që në një mënyrë të detyrojë qeverinë që të pranojë shkuarjen në zgjedhje të parlamentare të parakohshme.”,- tha analisti Ismet Ramadani.
 
Ramadani: Mickovski, pengesë për bashkëpunim
 
Qëndrimet e paqarta të Mickovskit ndaj çështjeve me interes gjeopolitik dhe ato që tangojnë shqiptarët drejtpërdrejt e vështirësojnë edhe bashkëpunimin e opozitës shqiptare me VMRO-DPMNE-në për të arritur qëllimin për zgjedhje.
 
“Deklarimet e Mickovskit se duhet të bëhen ndryshime në Badinter, d.m.th. në MO, të prishet balansimi ose pjesëmarrja adekuate e shqiptarëve në administratë; rezervat e tij me luftën në Ukrainë, ne nuk kemi dëgjuar nga Gruevski se e ka shpall agresion sulmin rus në Ukrainë; afërsia e tij me disa autoritarë respektivisht populist, në këtë rast e kemi Orbanin dhe natyrisht takimet e fshehta me Gruevskin janë momente të cilat e vënë në situatë pak sa vështirë edhe opozitën shqiptare për të bashkëpunuar.”,- u shpreh analisti Ismet Ramadani.
 
Ramadani nuk përjashton mundësinë që opozita me aktivitetet e saj të krijojë rrëmujë të kontrolluar dhe të përfitojë një pjesë të qytetarëve që kanë pakënaqësi sociale, por sipas tij gjasat për zgjedhje të parakohshme parlamentare janë zero. 
 
SHPËTIM NUREDINI