Botë

Suedia aplikon për anëtarësim në NATO

17.05.2022 15:53

Ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde, ka nënshkruar aplikimin historik të vendit të saj për anëtarësim në NATO...

Ministrja e jashtme suedeze, Ann Linde, ka nënshkruar aplikimin historik të vendit të saj për anëtarësim në NATO. Më herët, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda premtuan të ndihmojnë Finlandën dhe Suedinë nëse këto vende kundërshtohen gjatë anëtarësimit në NATO.
 
“Aplikimi do të dërgohet deri te sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi që Suedi ka bërë kërkesë për anëtarësim në Aleancë. Ndjehem shumë serioze, ndjehemi sikur tani kemi arritur deri aty ku është më së miri për Suedinë.”,- tha ministrja e jashtme Suedeze Ann Linde.
 
Ndërkohë, edhe Parlamenti finlandez do të votojë kërkesën pasi që presidenti dhe kryeministrja e vendit kanë dërguar aplikimin për anëtarësim në NATO. Më herët këshilli për punë të jashtme njëzëri e ka mbështetur atë duke vlerësuar se Suedia dhe Finlanda duhet të jenë anëtare të Aleancës Veriatlantike. 
 
Erdogan: Suedia e Finlanda të mos dërgojnë diplomatë në Ankara
 
Turqia ka përsëritur qëndrimin e saj se e kundërshton pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Presidenti Erdogan porositi dy vendet skandinave mos të dërgojnë diplomat të tyre në Ankara për të tentuar ta ndryshojë qëndrimin. 
 
“Suedia tanimë është vendstrehim i organizatave terroriste. Ata sjellin terroristë në parlamentet e tyre, i detyrojnë të flasin aty dhe dërgojnë ftesa speciale për ata. Kanë edhe pro PKK terroristë në parlamentet e tyre. Si mund t’i besojmë?”,- theksoi presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
 
Finlanda e befasuar nga qëndrimi I Turqisë por tha se nuk do të bëj pazare me Erdoganin. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg porositi Turqinë se Aleanca duhet të jetë e bashkuar në këtë moment historik. Vlladimir Putin nga ana tjetër tha se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk paraqet kërcënim direkt për Rusinë. Por, paralajmëroi se Moska do të përgjigjet në çdo zgjerim të infrastrukturës ushtarake. 
 
LEUNORA KALIQI