Maqedoni

Gostivar, shpërndarja e banesave sociale në Gostivar

17.05.2022 16:37

Publikimi i listës preliminare të banesave sociale në Gostivar kaloi me reagime të shumta...

Publikimi i listës preliminare të banesave sociale në Gostivar kaloi me reagime të shumta nga ata që nuk e gjenin veten në listë. Nga gjithsej 190 aplikime, vetëm 74 kishin kaluar fazën e parë. Edhe pse pak ishin të pranishëm në numër, aplikantët që nuk ishin në listë, kanë reaguar se rangimi nuk është korrekt dhe ndaj tyre bëhet diskiminim. Një pjesë e tyre ishin ish banorë te barakat që u dogjën kohë më parë.
 
I pranishëm në Gostivar gjatë publikimit të listës fillestare, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, tha se përzgjedhja është bërë nga komisioni profesional i ngritur pikërisht për këtë çështje.
 
“Shpërndarja e sotme publike është pleriminare dhe nuk është përfundimtare. Duke filluar nga sot, në ditët në vijim Komisioni i përbërë nga të punësuarit nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale do të kryejnë kontrolle të detajuara te të gjithë personat aplikantë që ndodhen në listën preliminare.”,- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
 
Reaguan ata që nuk e gjetën veten në listë
 
Zëvendësi i Buçvarskit, Bekim Rexhepi, theksoi se pas verifikimit të gjendjes faktike në terren, do të publikohet lista me fituesit përfundimtarë të banesave sociale në Gostivar.
 
Personat që kanë aplikuar mund të shohin nëse janë në listë në ueb faqen e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve por edhe pranë Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale në Gostivar. Ndryshe, aplikimi për 70 banesat sociale në Gostivar zgjati një muaj, gjegjësisht nga muaj mars deri në prill të këtij viti.
 
LULZIM AZIRI