Botë

Mariupoli bie tërësisht në duart e rusëve, BE: Nuk njohim asnjë pjesë toke që e merr Rusia

17.05.2022 17:00

265 ushtarë të ngujuar në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol janë dorëzuar...

Kjo nënkupton se Rusia mori kontrollin e plotë të këtij qytetit pas disa muajsh bombardime. Evakuimi i qindra luftëtarëve, disa edhe të plagosur, shënon fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme gjatë luftës në Ukrainë dhe konsiderohet si humbje për këtë shtet.
 
Ndonëse pjesa tjetër e Mariupolit veçse ka qenë nën kontrollin rus, vetëm kjo fabrikë ishte nën kontrollin e ushtrisë ukrainase. Ushtarët e plagosur janë dërguar për trajtim në spital.
 
“Luftëtarët e njësisë nacionaliste Azov dhe ushtarakët ukrainas të bllokuar në fabrikën “Azovstal” në Mariupol janë dorëzuar. Gjatë 24 orëve të fundit, 265 militantë kanë ulur armët,duke përfshirë 51 të plagosur rëndë.”,- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenko.
 
“53 luftëtarë të plagosur janë dërguar në spital në qytezën Novo-Azovsk, të kontrolluar nga rusët, shumica janë në gjendje të rëndë shëndetësore, vetëm dy prej tyre janë me lëndime të lehta, ndërsa 211 të tjerët janë dërguar në qytezën Olenivka, zonë e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.Të gjithë të evakuuarit janë subjekt i këmbimeve potenciale të të burgosurve me Rusinë.”,- deklaroi zëvendësministrja e Mbrojtjes në Ukrainë, Anna Malyar.
 
Rreth 600 trupa besohet se kanë qenë në fabrikë. Vazhdojnë përpjekjet për të evakuuar edhe pjesën tjetër që ka mbetur brenda.
 
“Shpresojmë se do të arrijmë të ruajmë jetët e djemve tanë. Do t’i nxjerrim të gjitha nga fabrika. Ukrainës i duhen heronjtë e gjallë.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy
 
“Të gjithë ushtarët këtu kanë një shpirt të lartë luftarak. Ne jemi djem të organizuar dhe kemi një detyrë për të eliminuar te gjithë, edhe ushtarët e fundit që janë në fabrikën “Azovstal”.”,- tha një ushtar rus.
 
Pavarësisht pushtimit të territoreve ukrainase nga ana e Rusisë, BE-ja thotë se nuk do të njohim asnjë kilometër katror tokë ukrainase të marrë nga Rusia. 
 
“Ne nuk do ta njohim asnjë pjesë të Ukrainës që pretendohet nga Moska se është marrë. Ne kemi tre teste për të kapërcyer dhe ato janë lufta, qëndrueshmëria dhe legjitimiteti ndërkombëtar.”,- tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.
 
BE-ja vazhdimisht ndihmon me mjete financiare dhe ushtarake Ukrainën për të vazhduar luftën. Beteja të ashpra ka pasur në Lviv, në disa zona rreth Kievit , në qytezën strategjike Izjum por në Cernobil janë shënuar dhjetëra viktima si pasoje e sulmeve ruse, numri i saktë ende nuk dihet për shkak të betejave që aktualisht janë duke u zhvilluar.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU