Makthi i Moskës bëhet realitet, Finlanda e Suedia dorëzojnë aplikimin në NATO
Finlanda dhe Suedia kanë dorëzuar sot aplikimet....

Finlanda dhe Suedia kanë paraqitur zyrtarisht kërkesën për t’u bashkuar me aleancën më të madhe ushtarake në botë, një lëvizje kjo e nxitur pikërisht nga shqetësimet e sigurisë për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“I mirëpres me ngrohtësi kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerët tanë më të afërt dhe anëtarësimi juaj në NATO do të rriste sigurinë tonë të përbashkët. Aplikimet që keni bërë sot janë një hap historik. Aleatët tani do të shqyrtojnë hapat e ardhshëm në rrugën tuaj drejt NATO-s… Të gjithë aleatët bien dakord që duhet të qëndrojmë së bashku dhe të gjithë jemi dakord se ky është një moment historik të cilin duhet ta shfrytëzojmë.”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërsa ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare mund të shkojë deri në një vit.
Ngërçin më të madh e paraqet kundërshtia e Turqisë. Presidenti Erdogan ka shprehur rezerva.
Nëse kapërcehet kjo pengesë, të dy vendet mund të bëhen anëtarë brenda pak muajsh pasi NATO-ja dëshiron të lëvizë shpejt duke pasur parasysh kërcënimin rus që qëndron mbi kokat e vendeve nordike.
Përpara faktit të kryer tashmë, Vladimir Putin i zbuti tonet një ditë më parë.
“Moska nuk ka asnjë problem me këto shtete. Problemi, është përdorimi “agresiv” i zgjerimit nga Shtetet e Bashkuara, që po rëndojnë akoma edhe më shumë një situatë tashmë tejet të tensionuar”, ka qenë shpjegimi i presidentit rus. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
