Gjykata Speciale shpalli vendimin: 4.5 vite burg për dy ish krerët e OVL-UÇK-së
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës...

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka shqiptuar dënimin me 4 vjet e gjysmë burgim për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.
Dënimi, sipas kryetarit të këtij grupi, Charles Smith, u bë në emër të popullit të Kosovës, ndërsa bazë e tij ishin akuzat ndaj Gucatit e Haradinajt.
Trupi gjykues i shpalli Gucatin e Haradinajn fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Shkelje të Kodit Penal të Kosovës (KPK) dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji). Trupi Gjykues i shpalli të akuzuarit të pafajshëm lidhur me hakmarrjen. Trupi Gjykues dënoi secilin prej të akuzuarve me burgim katër vjet e gjysmë, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim dhe me gjobë 100 euro.”,- thuhet në aktgjykimin e dërguar për media nga Dhomat e Specializuara.
Gjatë shqiptimit të aktgjykimit, trupi gjykues theksoi se kjo çështje ka të bëjë me administrimin e duhur të drejtësisë, integritetin dhe sigurinë e proceseve gjyqësore dhe sigurinë, mirëqenien dhe çlirimin nga frika të qindra personave, të cilët janë paraqitur për të përmbushur detyrën e tyre qytetare si dëshmitarë.
Vendimi i fajësisë mund të apelohet brenda 30 ditësh te paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë, që funksionon sipas ligjeve të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
