Qeveria emëron delegacionin për dialog strategjik me SHBA
Qeveria e Maqedonisë së Veriut....

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme miratoi Informatat për fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Koordinatori i Procesit të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së është emëruar Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, i cili më 2 qershor do të kryesojë delegacionin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në hapjen e procesit në Uashington.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë prezantimit të dialogut para studentëve të disa universiteteve të vendit, theksoi se ky është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili në afat të mesëm dhe afatgjatë do të sjellë përfitime të rëndësishme për qytetarët tanë dhe për vendin.
Dialogu strategjik është një përmirësim i marrëdhënieve tradicionalisht miqësore dhe një konfirmim i aleancës së fortë mes dy vendeve.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ka filluar këtë proces, tha ministri Osmani, duke shtuar se me këtë bashkëpunimi dypalësh merr një dimension tjetër, me synime dhe rezultate specifike.
Në veçanti, në interes të komunitetit akademik dhe studentëve, u theksua se në fokus të agjendës së dialogut do të jetë bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe programet e shkëmbimit të studentëve.
“Këto janë bursa për disa programe akademike, profesionale dhe kulturore, të destinuara për studentë, arsimtarë, profesionistë dhe liderë të ardhshëm në Maqedoninë së Veriut”, tha ministri Osmani.
