Maqedoni
Ahmeti takoi ambasadorin amerikan Volers
06.01.2015 18:26
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka nisur takimet me komunitetin ndërkombëtar për këtë vit me vizitën e sotme...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka nisur takimet me komunitetin ndërkombëtar për këtë vit me vizitën e sotme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, ku ka takuar ambasadorin, Poll Volers.
Ahmeti dhe Volers diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend dhe në rajon, çështjen e emrit dhe integrimin euroatlantik, opozitën, si dhe bashkëpunimin vijues të BDI-së me autoritetet amerikane në vigjilje të largimit të ambasadorit aktual dhe ardhjes së ambasadorit të ri, Xhes Bejli.
Bashkëbiseduesit janë dakorduan që sfida kryesore e vendit është zgjidhja çështjes së emrit dhe integrimi i Maqedonisë në NATO. Kjo çështje zë vend të rëndësishëm në politikën amerikane për arsye se SHBA është mbështetëse e madhe e integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme në Greqi dhe formimit të qeverisë së re në Athinë, të gjitha palët, Maqedonia, Greqia dhe komuniteti ndërkombëtar duhet që të fokusojnë të gjitha forcat drejt tejkalimit të kontestit që po mban Maqedoninë larg nga Brukseli.
Për këtë, nevojitet atmosferë konstruktive dhe stabile edhe në Shkup, por edhe në Athinë.
Kryetari Ahmeti siguroi ambasadorin Volers që BDI do të vijojë bashkëpunimin me Washingtonin zyrtar drejt realizimit të synimit të përbashkët, por edhe njëkohësisht ftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të intensifikojnë përpjekjet këtë pranverë, sepse janë miq të vërtetë të vendit dhe rajonit dhe se pa ndërhyrjen e Washingtonit, vështirë zgjidhet kjo çështje.
Ahmeti, ftoi përsëri opozitën që të rikthehet në kuvend dhe të kontribuojë në këto kohëra sfiduese për të ardhmen e vendit.
Ahmeti, gjithashtu foli edhe për reformën në arsim, duke e cilësuar si progresive dhe më se të nevojshme në mënyrë që të rritet cilësia në arsim, në veçanti në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm.
