Bisedimet me Bullgarinë, Osmani: Presioni në Sofje, presim konsolidimin e tyre

18.05.2022 14:24

Maqedonia e Veriut pret konsolidimin e palës bullgare për të vazhduar bisedimet...

Maqedonia e Veriut pret konsolidimin e palës bullgare për të vazhduar bisedimet. Për momentin nuk ka situatë të re, thotë ministri i jashtëm Bujar Osmani, duke theksuar se presioni ndërkombëtar po bëhet ndaj Sofjes dhe kjo, sipas tij, vërtetohet me ardhjen e sërishme të eurokomisarit, Oliver Varheji, në Sofje më 19 maj. Duke mos apostrofuar me emra, Osmani akuzon se tek fqinji lindor ka njerëz që e ushqejnë bllokadën ndaj shtetit tonë dhe tentojnë t'ia lënë fajin Shkupit. 

“Akoma mbetemi në konstatimin se topi gjendet në Bullgari. Ne i kemi thënë qëndrimet tona në takime, të cilat edhe i kemi formalizuar në dokumente të ndryshme. Ne nuk punojmë për diçka të re, pra presim konsolidimin e palës bullgare. Për fat të keq komunikim ka, por  bisedime konkrete jo, derisa nuk e dëgjojmë qëndrimin e konsoliduar nga Bullgaria.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Integrimi në BE, Osmani: Qytetarët kanë humbur besimin
 
Duke komentuar deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së Borell se mund të pasojë krizë rajonale nëse Shkupi dhe Tirana nuk i fillojnë bisedimet verës, Osmani vlerësoi se deklarata e Borellit nënkupton krizë të kredibilitetit.
 
“Të gjitha anketat e opinionit publik tregojnë se besimi ndaj BE-së në mbajtjen e premtimit ka rënë në 9%. Mos të keqkuptohemi me  mbështetjen për anëtarësim në BE. Kjo është e madhe tek ne. Qytetarët kanë humbur besimin, ndërsa fuqia e mesazhit evropian qëndron në besim.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Osmani foli edhe për rezolutën që këto ditë do të gjendet përpara eurodeputetëve, para se të fillojnë takimet e samitit të qershorit. Tha se është mirënjohës ndaj miqve evropianë të cilët kanë përjashtuar nga përmbajtja e rezolutës zgjidhjen e problemeve bilaterale gjatë procesit të negociatave me BE-në.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU