Maqedoni
Kasami: Bllok opozitar shqiptar, të rrëzojmë BDI-në
18.05.2022 15:23
Lëvizja Besa fton të gjitha partitë politike në takim të përbashkët për të formuar bllokun opozitar kundër BDI-së...

Lëvizja Besa fton të gjitha partitë politike në takim të përbashkët për të formuar bllokun opozitar kundër BDI-së me të vetmin qëllim, që të bëjnë ndryshim të pushtetit. Kryetari i saj, Bilall Kasami, tha se te shqiptarët për 20 vite nuk ka rotacion të pushtetit, andaj për hir të qytetarëve, opozita duhet t’i lejë mënjanë dallimet.
“Ne si Lëvizje Besa jemi të përkushtuar që të bëjmë të gjitha kompromiset e nevojshme, me gjithë partitë shqiptare opozitare, jashtë BDI-së, që të ulemi dhe të formojmë një bllok të fuqishëm opozitar. Këtu do të shfrytëzojmë rastin që të bëj ftesë publike te të gjithë partitë jashtë BDI-së që të ulemi, të largojmë kërkesat personale për pozicionim eventual dhe njëherë e përgjithmonë ta biem ndryshimin dhe të ketë një rotacion të pushtetit edhe në bllokun shqiptar.”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Takimi me Mickovskin, Kasami: Nuk koalicionojmë më me parti maqedonase
Por, teksa këmbëngul për bashkim të opozitës shqiptare, Kasami theksoi se koalicionimi me parti maqedonase nuk është në prioritet të Lëvizjes Besa.
“Pas tradhtisë që i ndodhi Lëvizjes Besa apo mosrealizimit të marrëveshjes së nënshkruar me të cilën ne u bëmë pjesë e qeverisë me të cilën ish kryeministrit Zaev i dhamë një mundësi që të jetë në krye të qeverisë, ne do të mendojmë dy herë për një marrëveshje të re eventuale për ndonjë koalicion parazgjedhor.”,- tha Kasami.
I pyetur për takimin me kreun e VMRO-DPMNE-së Mickovskin, ai tha se ishte takim normal në kuadër të veprimit opozitar.
BELINDA KOKA ADEMI
