Maqedoni
Modeli i ri tarifor i energjisë, Baush: I paqartë, nuk sqaruan si do e kalkulojnë
18.05.2022 15:41
Modeli i ri tarifor për energji elektrike ka shumë paqartësi dhe mbetet të shihet se si familjet me të ardhura...

Modeli i ri tarifor për energji elektrike ka shumë paqartësi dhe mbetet të shihet se si familjet me të ardhura më të ulëta do të paguajnë fatura më të lira, pasi shumë prej tyre ngrohen dimrit me rrymë, vlerëson eksperti ekonomik, Abil Baush. Sipas tij, qytetarët duhet ta kenë të qartë se do të paguajnë më shtrenjtë se më herët, duke parë se çmimet e energjencave po shtrenjtohen në nivel global.
“Ne kemi familje me të ardhura të vogla, por që nuk kanë mundësi, nuk kanë alternativë tjetër që mund të ngrohen dhe përdorin rrymën elektrike dhe kjo si do të kalkulohet ende nuk e dimë.”,- tha eksperti ekonomik, Abil Baush.
Megjithatë Baush pret stabilizim të çmimeve kah muaji shtator i këtij viti, por duke theksuar se çmimet nuk do të bien në nivel të njejtë siç kanë qenë më parë.
“Nuk do të kemi ndonjë zbritje drastike të çmimeve, por do të kemi njëfarë lloj baraspeshe ekonomike të këtyre parametrave, do të kemi njëfarë stabiliteti, për arsye se të gjithë masat që i kanë marrë qeveritë, qoftë edhe BE, qoftë edhe vendi jonë mendojë se do të fillojnë ti japin efektet e tyre dhe do të krijojnë një lloj baraspeshe.”,- theksoi Baush.
Eksperti ekonomik Baush gjithashtu potencoi se mbetet të shihet nëse TVSh për energjinë elektrike do të mbetet ende në të njëjtin nivel apo do të rritet në 18%, siç ka qenë më parë, me çka do të kemi përsëri rritje të energjisë elektrike.
ERSAN PAJAZITI
