Maqedoni
Bllokada e Kuvendit, Mickoski: Heshtja nuk është më opsion
18.05.2022 16:19
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së sotme në komunën e Resnjës...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës në Resnjë, edhe një herë i bëri thirrje qeverisë që të organizojë një takim për të diskutuar të gjitha çështjet aktuale dhe datën e zgjedhjeve. Arsyetoi bllokadën aktive që partia e tij po ia bën kuvendit dhe deklaroi se do të vazhdojnë të bllokojnë gjithçka që nuk vlen për qytetarët, pra gjithçka që lidhet me interesa të ngushta të partive në pushtet.
“Shumica dërrmuese e qytetarëve në Maqedoni mendojnë se kjo qeveri duhet të largohet dhe se Maqedonia po ecën në drejtim të gabuar. Kovaçevski dhe kjo qeveri me këmbëngulje po i ikin uljes në tryezë për të negociuar për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por edhe për të gjitha çështjet aktuale që populli jeton çdo ditë, si kriza ekonomike, kriza financiare, problemet në arsim, shëndetësi etj. Pra, mund të them se ne vazhdojmë brenda Kuvendit me këtë bllokadë aktive dhe me organizimin e tubimit të madh masiv sepse heshtja nuk është opsion.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Paralajmërimet se Qeveria me rebalanc do të shkurtojë 100 milionë euro shpenzime joproduktive, i cilësoi si gjimnastikë të padobishme e përkujtoi se nëse paratë në vend të luksit të shfrenuar të ministrave, qeveria do t’i drejtonte për të mbështetur ekonominë dhe qytetarët, tani efektet e kësaj krize financiare dhe energjetike nuk do të ishin aq të mëdha.
GAZMEND REXHEPI
