Botë
Lufta në Ukrainë, betejë e ashpër për Khersonin, nuk kursehet asgjë
18.05.2022 17:28
Forcat ruse po kryejnë sulme me raketa në të gjithë Ukrainën....

Forcat ruse po kryejnë sulme me raketa në të gjithë Ukrainën. Në rajonin juglindor të Luhanskut, nga bombardimet vriten katër civilë dhe plagoset një 15-vjeçar. Granatimet e shpeshta përveç viktimave kanë shkatërruar ndërtesa të shumta si edhe një fabrikë.
“U vranë njerëz, u shkatërruan shtëpi e fabrika, kjo është jeta që bota ruse kërkon të imponojë në rajonin e Luhanskut.”,- tha gurvernatori i Luhanskut, Serhiu Haidai.
Luftimet zhvillohen edhe në Shevchenkove-Ukrainën jugore, qëllimi kryesor është marrja e Khersonit. Civilët ndodhen në mes të betejave luftarake duke u përpjekur për mbijetesë. Kjo rrugë më parë të çonte në Krime - territor që Ukraina humbi në 2014. Tani banorët thonë se po qëndrojnë për të mbrojtur atë që ju ka mbetur nga shtëpitë dhe nga vendi i tyre.
“Çfarë të të them? Gur për gur, ne i ndërtuam këto shtëpi me duart tona. Të lëmë këtë është shumë e vështirë për ne. Shumë e vështirë. Ne nuk e duam këtë luftë, duam të jemi në paqe (qan). Më fal, nuk di çfarë të them tjetër.",- u shpreh një banore vendase.
Municionet thërrmuese janë të ndaluara sipas traktatit ndërkombëtar, por asgjë nuk përfillet në këtë luftë.
“Ata qëllojnë me të gjitha mjetet e mundshme ushtarake, bomba thërrmuese, artileri, mina, tanke, pushkë, gjithçka. Ata nuk kanë një objektiv të veçantë dhe ju e dini këtë, sulmojnë ku të munden pa e zgjedhur lokacionin.”,- deklaroi një ushtar ukrainas.
Shpërthime ka pasur edhe në verilindje të Ukrainës, qyteti Oktyrka u trondit nga granatimet herët në mëngjes
“U kryen katër sulme ajrore, si pasojë e të cilave u dëmtuan objekte që nuk kishin lidhje me strukturën ushtarake, në veçanti kopshti i fëmijëve “Kazka”. Rreth dy duzina shtëpi u dëmtuan gjithashtu.”,- tha një banor i Ochtyrka.
“Dëgjova kur shpërtheu. Isha duke fjetur pranë dritares dhe ajo u thye menjëherë gjatë shpërthimit. E kapa batanijen dhe vrapova në kuzhinë dhe aty ishte djali im. Pati tre shpërthime.”,- deklaroi një banor i Ochtyrka.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut njofton se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë janë vrarë mbi 3.700 civil dhe 4.062 civilë janë plagosur.
“Shumica e viktimave civile të regjistruara u shkaktuan nga përdorimi i armëve shpërthyese, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave të shumta lëshuese, dhe sulmet me raketa dhe ajrore.”,- deklaroi shefja e Misionit të OKB-SË për të Drejtat e Njeriut, Matilda Bogner.
Ushtria ukrainase njofton se forcat ruse po sulmojnë gjithashtu Zapozhzhian, në Donetks dhe zonat kufitare, Chernihiv dhe Sumy.
FARIJE DAUTI BAKIJU
