Musadik Pajaziti në gjendje të rëndë shëndetësore, dërgohet në spital

19.05.2022 11:21

Në ditën e 15 të grevës së urisë....

Në ditën e 15 të grevës së urisë,  Musadik Pajazitit,  njërit nga të dënuarit për rastin “Lagja e Trimave” në Kumanovë,  i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, gjë që ka detyruar autoritetet e burgut ta nisin atë drejt spitalit.

Këtë e konfirmuan për TVM 2, burime jo zyrtare nga burgu i Shutkës.

Sipas këtyre burimeve, Pajaziti është kontrolluar nga mjekët të cilët kanë vendosur se është më mirë për shëndetin e tij të mbahet nën kontroll mjekësor më të specializuar nga ai që ofrohet nga infermieria e burgut.

4 grevistët e tjerë aktualisht  janë në gjendje të mirë shëndetësore. 5 anëtarët e grupit, kanë hyrë në grevë urie që nga  4 maji.

Ata  këmbëngulin se po u shkelen të drejat njerëzore dhe  kërkojnë transferimin urgjent  në burgun e Idrizovës, transferim për të cilin kanë dhënë si afat 23 majin.  Gjithashtu kërkojnë që t’u lejohen vizitat e familjarëve dhe fundjavat e lira .

Edhe Avokati i Popullit, sipas detyrës zyrtare,  ka dorëzuar rekomandim deri te Drejtoria e Burgjeve për transferimin e tyre  në burgun e Idrizovës, por deri në këtë moment, nuk ka asnjë vendim të ri transferimi.