Takimi Kurti-Sullivan, diskutojnë rreth agresionit rus në Ukrainë dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor

19.05.2022 12:58

Agresioni rus në Ukrainë....

Agresioni rus në Ukrainë dhe qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor ishin pjesë e diskutimeve në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Qeveria e Kosovës tha në një njoftim se kryeministri Kurti e falënderoi zotin Sullivan për kontributin dhe mbështetjen amerikane për Kosovën dhe për paqen e qëndrueshme, qëndrueshmërinë afatgjatë dhe sigurinë rajonale.

Kryeministri Kurti, thuhet në njoftim, tha se Kosova “është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me SHBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO”.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë “parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”.

Sullivan  shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet thelbësore të pazgjidhura.