Komisioni Europian: Qershori, afati për konferencën ndërqeveritare
Komisioni Evropian mbrëmë për herë të parë vendosi.....

Komisioni Evropian mbrëmë për herë të parë vendosi për një afat kohor për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjatë prezantimit të raportit të eurodeputetit, Ilhan Kuçuk.
Në emër të Komisionit Evropian foli komisioneri evropian, Didier Reynders, i cili zëvendësoi Oliver Varhein në Parlamentin Evropian.
Pas prezantimit të raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Kuçuk, në rezolutën e tij për vendin, Reynders bëri thirrje që negociatat me Maqedoninë e Veriut, si dhe me Shqipërinë, të fillojnë para përfundimit të presidencës franceze, më 30 qershor.
“Shtetet anëtare të BE-së vendosën në mars 2020 të hapin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tani është koha për të dorëzuar dhe hapur zyrtarisht me të dyja vendet para përfundimit të presidencës franceze”,- tha ai. Edhe Franca iu drejtua mediave me një deklaratë të shkurtër, pas një bisede telefonike midis presidentit Emanuel Makron, i cili më pas foli me presidentin bullgar Rumen Radev, kryeministrin bullgar Kiril Petkov dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Qëllimi i këtyre tre bisedave, derisa Franca po kryeson Këshillin e Bashkimit Evropian, ishte inkurajimi i dy vendeve që të rifillojnë shpejt dialogun për mosmarrëveshjen mes tyre, thuhet në deklaratë.
Presidenti i Francës, rikujtoi edhe njëherë përkushtimin e tij ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e destabilizimit që po kalon kontinenti evropian.
